Covid-19/ Kryeministri Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar sot ministrin e punëve të brendshme, Agim Veliun për përhapje paniku.

Njoftimi i plotë

Mbrëmë vonë, pas mesnate, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu, për televizionin Klan Kosova, u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhapë panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime.

Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është.