Cinizmi i qeverisë është ajo që ka më pak nevojë biznesi këto kohë!

Nga Arben KASHAHU

Injorohet nga Ministria e Financave dhe qeveria prej më shumë se 7 ditësh, kërkesa e komunitetit të biznesit në Shqipëri për shtyrjen e dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore nga 31 Mars 2020 në 30 Prill 2020.

Shoqata e investitorëve të huaj në Shqiperi dhe shoqatat shqiptare të profesionstëve kontabël i janë drejtuar prej 7 ditësh me shkrim Ministrisë së Financave lidhur me shqyrtimin dhe marrjen në konsideratë të kësaj kërkese me argumentimin e plotë dhe bindës.

Të kërkosh në këtë situatë të jashtëzakonshme vetëm 30 ditë shtyrje të dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore (ndryshe bilanceve të shoqërive) nuk është aspak kërkesë e ekzagjëruar e biznesit, por kërkesë mjaft e ligjëruar në kushtet që ndodhemi.

Jam i bindur se kjo kërkesë përfaqëson një shqetësim të të gjithë komunitetit të biznesit në vend dhe gjykoj që lënia pa përgjigje e këtij shqetësimi të biznesit nga Qeveria sidomos në këto kushte kaq të vështira për sipërmarrjen, është një dëm i shtuar ndaj biznesit, është jo-etike, është cinike.

Cinizmi i qeverisë është ajo që ka më pak nevojë biznesi këto kohë. Ndërkohë është i rëndë konstatimi se ky mos-veprim i qeverisë nuk është rast i vecuar, përkundrazi është duke u bërë mënyrë sjelljeje e kësaj të fundit.

Mos-tranparenca e qeverisë për planin e masave për të adresuar pasojat e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, mos-blerja e tamponëve për të kryer më shumë teste mjekësore për të dyshuarit e prekur me Covid-19, mos-blerja e aparaturave që shkurtojnë në maksimum kohën e diagnostikimit të të dyshuarve, mos-marrja e masave për të krijuar kapacitete shtesë spitalore për të trajtuar të infektuar të mundshëm me Covid-19, përfshirë edhe blerjen e aparateve shtesë respiratore, mos-shqyrtimi i kësaj kërkese të justifikuar të biznesit, janë një tregues në vazhdimësi i dëmit që sjell kjo qeveri në Shqipëri me pa-aftësinë e saj për të vepruar në rastin më të mirë.

Mos-veprimi i qeverisë kur veprimi kërkohet më shumë se kurrë, është MOS-QEVERISJE. Ndërkohë, qeveria, pa kompleks duhet të ndërmarrë masat e propozuar dje nga PD, si e vetmja mbështetje jetike për njerëzit e biznesin.