Një sqarim për Blush-inceneratorin

105

Duket se reagimi i Syri.net i ka djegur jo pak Blushit. Sot ai është gdhirë duke hedhur baltë e vjellë vrer kundër themeluesve të fondacionit jo-fitimprurës që ka në pronësi Syri.net. Pra, në pamundësi për t’u marrë me argumentet, Blushi ka vendosur të merret me emrat, dhe ka bërë shumë mirë.

Ky sulm eshte jo vetëm ordiner, por është edhe një sulm “injorantësh” që nuk arrijnë të kuptojnë ndarjen që ekziston juridikisht midis konceptit “Financues” dhe “Bord Drejtues”.

Njëlloj siç janë akuzat për pastrim parash, që Blushi si i fushës që është, e di shumë mirë se për këtë qëllim përdoret gruaja, vjehrri, “shokët”, kafja, por në asnjë rast një fondacion jo-fitimprurës, nga i cili është e ndaluar të nxjerrësh fitim.

Ajo që të bën më shumë përshtypje në reagimin e tij është kontrasti që ai ka me secilin prej emrave që kanë themeluar këtë fondacion.

Në ndryshim nga Blushi, asnjë nga këta emra nuk është financuar ndonjëherë nga malavita, as për të shitur e as për të blerë kauza.

Në ndryshim nga Blushi, asnjë prej këtyre emrave nuk ndan nëpër ortakërira me Klodian “Ahmetajn” me miliona euro taksa të shqiptarëve, të vjedhura nga mega-skandali i inceneratorëve.

Në ndryshim nga Blushi, asnjë prej këtyre emrave nuk ka bërë pastrim parash si ai në Korçë, ku një pronë që kushton 500 milionë lekë, Blushi e blen për 30 mijë euro.

Asnjëri prej emrave që sulmon Blushi, në ndryshim nga ai, nuk ka ndërtuar dhe fshehur pallate në emrin e vjehrrit dhe as biznese në emrin e gruas, e cila edhe pse në kundërshtim me ligjin, vazhdon të mos humbasë dhe licencën e noterisë.

E sigurisht asnjëri prej tyre pas dhjetëra vitesh punë si gazetar nuk ka pasur mundësi t’i gdhihet gruaja një mëngjes askionere milionere në një kompani kafesh.

Është e vërtetë se këta intelektualë dhe gazetarë që kanë vënë gurin e parë në themelimin e fondacionit që ka në pronësi Syri.net, nuk jane as banditë, as gjobaxhinj, as pastrues parash, as hajdutë të taksave të shqiptarëve, e sigurisht as milionerë, por ti këtë e di po aq mirë sa ne, përdërisa degradon t’i sulmosh vetëm për rrogën që marrin apo për problemet shëndetësore që kanë.

Sa për financimet e portalit, të bëra nga biznese dhe donacione, ku e theksojme që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë politikan, jemi të gatshëm të përballemi me ty në çdo studio televizive apo gjykatë Blush, por mos harro të marrësh me vete gruan, vjehrrin, Klodianin, Tomën, Tahirin …

Syri.net”