Bashkia e Tiranës, asnjë masë për koronavirusin, higjiena në urbane skandaloze

Pavarësisht thirrjes së task forcës, por edhe situatës së re me koronavirusin, Tirana nuk ka marrë asnjë masë për të përmirësuar higjienën e saj.

Shfaqja e dy rasteve të para si mbartëse e koronavirusit, duket se nuk ka shqetësuar drejtuesit e bashkisë, pasi qyteti vazhdon të jetë i ndotur dhe në plehra.

Mungesa e higjienës vihet re veçanërisht në autobusët urbanë dhe në stacionet e tyre, aty ku dhe fluksi i lëvizjeve dhe kontaktet janë më të shpeshta dhe për rrjedhojë edhe rreziku i përhapjes së koronavirusit më i madh.

Në urbanët e kryeqytetit përveç erës së keqe shikon edhe papastërti të shumta, që nga bileta të hedhura, bishta cigaresh etj.

Qytetarët shprehen se në vendin tonë higjiena mbetet problem dhe ndihen të rrezikuar nga papastërtia e qytetit dhe i bëjnë thirrje kryetarit të bashkisë të marrë masa ashtu siç është bërë në vendet evropiane.

“Duam që Tirana të pastrohet”

“Shumë pisllëqe, janë edhe të palarë”

“Bashkia duhet të marrë masa”

Pak ditë më parë, task forca për koronavirusin i kërkoi bashkisë së Tiranës që të marrë masa për përmirësimin e higjienës në linjat urbane.