Basha denoncon skandalin: Qeveria e papërgjegjshme, ndau 1.2 milionë maska të skaduara që në 2011

Kryetari i opozitës, Basha e ka konsideruar qeverinë jo vetëm të papërgatitur për të përballur përballjen me coronavirusin, por edhe të papërgjegjshme.

Basha tregoi para shqiptarëve se si qeveria ka shpërndarë 1.2 milionë maska të skaduara që në vitin 2011. Skandali kriminal i qeverisë shkon edhe më tej kur kutive të këtyre maskave u kishte mbulluar datën e skadencës dhe mbi to kishte vendosur një datë tjetër.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë menjëhere. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mos panikohen nga përhapja e koronavirusit, pasi sipas tij, nuk është koha për panik, por për kujdes.

Basha sulmoi ashpër qeverinë, pasi sipas tij, personeli shëndetësor po punon me maska të skaduara, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por duke u bërë edhe burim i përhapjes së virusit te qytetarët.

“Nuk është koha për panik, por është koha për kujdes. Kjo është një thirrje për të rritur kujdesin. Nëse vihemi në panik nuk do të mund të kujdesemi as për veten tonë, as për familjarët tanë dhe kryesisht për të moshuarit, që kanë më shumë nevojë.

Është shumë e rëndësishme që të ndiqen me përpikëri këshillat e mjekëve, duke shmangur sa të jetë e mundur grumbullimet. Mburoja e vetme kundër këtij virusi janë shërbimet shëndetësore. Dua të ndaj një shqetësim të jashtëzakonshëm.

Personeli shëndetësor rrezikon me maska të skaduara. Ata kthehen në viktimat e para dhe transmetues të virusit te qytetarët. Kjo është papërgjegjshmëri totale.

Spitalet janë totalisht të papërgatitura për fluksin, e kam fjalën për ata që do kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore. Kapacitetet aktuale nuk kalojnë 120 njësi të përgatitura për të trajtuar 120 të infektuar, që ju kërcënohet jeta. Kjo është kronikë e një dështimi”, tha Basha.