Basha: Ata që do të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të mbylljes së biznesit duhet të marrin pagën për minimumin jetik

Kreu opozitar Lulzim Basha duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave nga koronavirusi në Shqipëri i ka bërë thirrje qeverisë që mos vonojë të miratojë paketën e ndihmës ekonomike dhe krahas saj të vendosë edhe një tjetër.

Basha shprehet se paketa e ndihmës ekonomike nga qeveria është e pamjaftueshme për biznesin e vogël dhe të vetëpunësuarit.

Ai ka thënë se gjithë ata që do të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk mund të punojnë duhet t’u sigurohet një pagë që do u sigurojë minimumin jetik në këto ditë.

”Ngushëllime familjeve të viktimave. Një falenderim për qytetarët që respektuan rregullat e karantinës së detyruar. Respektoni pikë për pikë udhëzimet nga Policia. Distancimin social, kufizimin e lëvizjeve për ndalimin dhe ngadalësimin e efekteve të pandemisë.

Të dashur qytetarë,

Koha që të gjithë së bashku të bashkohemi, kemi një armë të fuqishme, distancimin social, përmes rregullave edhe kur kemi nevoja ne mund dhe do ta ngadalësojme.

Qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë në të gjithë Shqipërinë. Të urdhërojë menjëherë mbylljen e bizneseve me dendësi të madhe, fasoneri, call centers, apo fabrika të tjera prodhimi që përbën rrezik për përhapjen e virusit.

Sot është dita të qëndrojmë krah për krah njëri- tjetrit. E di që keni hasur vështirësi material dhe psikologjike në vetëkarantinimin e imponuar dhe vetëimponuar.

T’a kalojmë me një faturë sa më të vogël për shëndetin dhe ekonomike. Të themi bëmë atë që duhet , siç duhet. Dhe mos themi nuk shpëtuam aq sa duhet.

Dua të përsëris përulësisht, qeveria mos vonojë paketën e ndihmës dhe të bëjë një paketë tjetër. Të gjithë ata që do të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të mbylljes së biznesit duhet të marrin pagën për minimumin jetik. Të ndërpritet çdo shpenzim tjetër. Çdo transferim tjetër nga thesari dhe të gjitha të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve dhe nevojat acute ekonomike.

Kam bindjen e thellë që me forcën që e kanë karakterizuar shqiptarët ndër kohë, do e kalojmë për një Shqipëri të nesërme me pozitivitet dhe më të bashkuar dhe më të fortë. Të merrni të gjitha masat higjieniko- sanitare dhe lus qeverinë që hapat e shpallura t’i detajojë dhe t’i vendosë në zbatim. Të shpallë gjendje e fatkeqësisë dhe të mbyllë bizneset me dendësi të madhe punonjësish.”- tha Basha.

Deklarata e Plote:

Të dashur bashkëqytetarë!

Kjo javë nis me një rritje të numrit të infektuarve nga koronavirusi dhe për fat të keq edhe rritjen e numrit të viktimave. Dua t’u ofroj ngushëllimet e mia familjeve të viktimave dhe dua të uroj nga zemra të gjithë ata që ndodhen në kushtet e infektimit dhe të shtrimit spitalor, shërim sa më të shpejtë.

Dua ta nis me nje falenderim me gjithësecilin prej jush qytetarë të dashur që respektuat ditën e djeshme rregullat e vetëizolimit, distancimit social dhe karantinës së detyruar nga kjo situatë. Dua po kështu të bëj një thirrje nga zemra të respektoni pikë për pikë udhëzimet e detajuara sot nga Policia e Shtetit për të vazhduar, në mënyrë të disiplinuar distancimin social, si një nga mjetet më të fuqishme për ndalimin dhe ngadalësimin e përhapjes së virozës dhe të efekteve të saj shkatërruese mbi shëndetin e të dashurve, të afërmve, në veçanti, të prindërve tanë dhe të atyre që nuk gëzojnë shëndet të plotë.

Të dashur qytetarë!

Sot, është koha që të gjithë sëbashku të bëjmë çfarë të mundemi! Në duart tona kemi një armë të fuqishme përmes distancimit social, përmes rregullave të distancës, edhe kur detyrohemi të dalim nga shtëpia për të kryer nevojat e domosdoshme të ditës, ne mund dhe do ta ngadalësojmë përhapjen e virusit.

Nga ana tjetër, dua t’I bëj sot thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë . Dua, po kështu, t’I bëj thirrje qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambjente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers apo të tjera fabrika prodhimi ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe për kthimin e tyre në bartës dhe infektues përmes virozës.

Por, nga ana tjetër, jam tërësisht i vetëdijshëm se kjo sakrificë e madhe që ju kërkohet ju ka nevojë për një mbështetje të madhe. Ndaj dua të përsëris përultësisht thirrjen time ndaj qeverisë: Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse kjo është qartësisht e pamjaftueshme. Të gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të mbylljes së bizneseve, ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është që menjëherë të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve, të shkojnë për nevojat akute ekonomike me të cilat përballet një numër i madhe njerëzish i cili mund dhe do të vijë në rritje.

Të dashur bashkëqytetarë!

Këto janë kohët më të vështira që kemi jetuar në një kohë shumë të gjatë. Por unë kam bindjen e thellë se me të njëjtën forcë që na ka karakterizuar gjatë gjithë historisë tonë, me besimin në Zot dhe me mbështetjen tek njëri-tjetri, do ta kalojmë këtë të keqe të gjithë sëbashku.

Si një familje e madhe, do të mund të krenohemi për jetët që kemi për të shpëtuar, për shembullin që kemi dhënë për fëmijët tanë dhe, mbi të gjitha, për një Shqipëri të nesërme në normalitet, në mirësi, në pozitivitet, edhe më të afruar e më të bashkuar me njëri-tjetrin se para kësaj epidemie.

Ndaj ju lus edhe njëherë, respektoni plotësisht të gjitha rregullat, të qëndroni në shtëpi, të merrni të gjitha masat higjeniko-sanitare. Sikundër e lus qeverinë që, menjëherë, hapat e shpallur t’i detajojë dhe t’i bëjë efektive për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Menjëherë të shpallë gjendjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe të urdhërojë menjëherë mbylljen e çdo biznesi me prani të madhe dhe të dendur punonjësish.

Këto janë hapa që shpëtojnë jetë dhe koha për të vepruar është tani.

Ju uroj një javë sa më të lehtë!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë