Babai i “Pacientit Zero” kërkon të lerë spitalin pa kryer testin e dytë, kundërshton mjekët

Të enjten bëhet testimi i dytë i pacientit 54-vjeçar, që po shkon drejt shërimit nga Covid-19. Babai i të riut që erdhi nga Italia dhe që deri më sot njihet si personi i parë i prekur nga koronavirusi në Shqipëri, do të lejohet të largohet nga spitali nëse edhe në testimin e dytë rezulton negativ.

Gjithsesi ai do të duhet të vetëizolohet për 14 ditë në banesë, sepse edhe gjatë kësaj periudhe ekziston mundësia e rikthimit të virusit.

Burime nga stafi i mjekëve thonë për A2 se po përballen me rezistencë dhe kundërshtime nga ana e dy pacientëve të parë të prekur me Covid-19. Veçanërisht 54-vjeçari, i cili në testin e parë rezultoi negativ, këmbëngul të rikthehet në banesë.

Por pavarësisht debateve, mjekët theksojnë se po ndiqen të gjitha protokollet e mjekimit. Askush, sipas tyre, nuk do të dalë nga spitali pa rezultuar negativ në test, ndërkohë që vetëizolimi është një proces po aq i rëndësishëm për të ndjekur ecurinë e virusit.

Në spitalin infektiv janë shtruar 30 persona, nga 59 të konfirmuar si të prekur nga koronavirusi. Në kryeqytet janë 42 raste dhe një pjesë e mirë e të prekurve janë infektuar pikërisht nga dy rastet e para, djali 28-vjeçar dhe babai i tij, 54 vjeç./ a2cnn