Arrestohet ish-futbollisti i Kombëtares

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Klodian Duro u arrestua nga Policia e Tiranës për shkelje të urdhrit të mbrojtjes dhe për kanosje. 42-vjeçari, sipas një burimi të sigurt të policisë u denoncua nga ish-bashkëshortja, e cila kërkoi ndihmën e policisë që të ndërhynte.

Bëhet me dije se ish-futbollisti i njohur ishte divorcuar me partneren dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta, ajo kishte marrë edhe urdhër mbrojtjeje nga gjykata që e urdhëron Duron të mos i afrohet ish-bashkëshortes dhe as mos ta telefonojë.

Por në datën 24 mars, policia tregon për se ish-futbollisti i njohur ka shkuar në banesën ku jeton ish-partnerja e tij dhe e ka kanosur për jetën ish-bashkëshorten, e cila ka formuar menjëherë numrin pa pagesë 129 dhe ka kërkuar ndihmë.

Më pas, gruaja ka firmosur edhe kallëzimin ndaj futbollistit, i cili gjendet në telashe. Pritet që për dhunën në familje ish-futbollisti do dalë para gjykatës ditën e shtunë, i dyshuar për dy vepra penale, njëra pasi ka shkelur një verdikt gjykate, e cila pasi i kishte dhënë urdhër mbrojtjeje, e urdhëronte ish-futbollistin mos t’i afrohej ish-bashkëshortes.