Apeli i ambasadorit nga Kina: Po nuk u shkundëm, do të na shkundë!

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, ka reaguar ashpër pas konfirmimit të dy rasteve të prekur me koronavirus në vendin tonë.

Përmes një statusi në “Facebook”, ambasadori Belortaja thekson se “konfirmimi i rasteve të para me koronavirus në Shqipëri është keq, por ka edhe një të mirë: uljen tonë me këmbë në tokë! Mbylljen e stacionit të ..Gallatës! Stopin e ..qyfyreve, kunjave e shakave tona bajate, të folklorizmave si ..“është si punë gripi, po ..një çikë me i fortë se gripi”! apo “jemi rracë e fortë”; te këshillave qesharake si ….”hani limona e pini raki”! “është kot kjo e kot ajo…”, etj”.

Mesazhi i ambasadorit:
Asgjë e re s’ka ndodhur. Ato 2-3 ishujt e vegjël s’mund të qëndronin për shumë kohë gri. Me Italinë ne ishim thuajse “njësh” me avionat dhe tragetet e përditëshme. Bashkimi me “hartën e kuqe” aty ishte, sot vetëm sa u zyrtarizua.

Kjo eshte keq sigurisht, por ka dhe një të mirë: uljen tonë me këmbë në tokë! Mbylljen e stacionit të ..Gallatës! Stopin e ..qyfyreve, kunjave e shakave tona bajate, të folklorizmave si ..“është si punë gripi, po ..një çikë me i fortë se gripi”! apo “jemi rracë e fortë”; te këshillave qesharake si ….”hani limona e pini raki”! “është kot kjo e kot ajo…”, etj. Ngjeshjes e gajasjes sonë të papërgjegjëshme nëpër kafe, restorante, salla, stadiume dhe autobuza edhe ..për 1 stacion! Të gjithë duhet të shkundemi. Ndryshe doemos ..do të na shkundë!