Ambasadorja Yuri Kim tregon se cilat janë pasojat e lajmeve të rreme për virusin në rajon

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka postuar në Twitter një raport të BE-së mbi situatën aktuale të koronavirusit.

‘Raporti special i EEAS tregon se ata që kërkuan të dobësonin Shqipërinë pak vite më parë, i janë futur sërish punës, duke përdorur dizinformimin dhe propagandën për të fshehur të vërtetën, të heqin fajin dhe të pretendojnë se janë ‘shpëtimtarë’ në krizën që shkaktuan vetë. Historia ka rëndësi, faktet kanë rëndësi’.

EEAS është Shërbimi i Aksionit të Jashtëm Evropian, një shërbim diplomatik që kombinon Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes së BE-së.

Në raportin e saj, EEAS thotë se ka shumë lajme të rreme nëpër botë mbi koronavirusin dhe një prej tyre që qarkullon është se virusi i ri nuk shpërtheu në Wuhan të Kinës, por në SHBA ose në laboratorët e zotëruar nga SHBA nëpër botë.

Në lidhje me Ballkanin, në raport lexohet ‘Lajmet e rreme në lidhje me Covid-19 thonë se virusi ‘është zhvilluar në një laborator për të shënjestruar Kinën dhe Iranin’. Një lajm i tillë është parë në disa media të rajonit.

Përhapja e lajmeve të tilla sjell disa rreziqe në Ballkan, pasi mund të përdoren si armë në zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut; mund të përdoren kundër emigrantëve dhe mund të përdoren nga burime të huaja për të manipuluar lajmet lokale’.