4 raste të reja/ Shkon në 59 numri i të prekurve me Covid-19

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri ka shkuar në 59.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë personi i dytë i infektuar me koronavirus, një 66-vjeçar nga qyteti i Lushnjes.

Komunikimi i përditshëm për situatën e fundit të COVID-19 në vendin tonë.

Eugena Tomini, përgjegjëse e departamentit të inteligjiencës epidemiologjike në ISHP

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja me COVID, apel qytetarëve të zbatojnë masat e izolimit social

Ju informojmë për situatën e fundit të COVID-19 në Shqipëri.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient i moshës 66-vjecare në spitalin Infektiv, që vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale. Prej disa ditësh pacienti ishte i intubuar (me respiracion të drejtuar) në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë ditës së djeshme, në vijim të ndjekjes dhe trajtimit shëndetësor të pacientëve të konfirmuar me COVID-19 në spitalin infektiv, është kryer ritestimi për kontaktin e parë të pacientit zero, i cili ka rezultuar negative. Do të vijohet me testin e radhës për të konfirmuar negativizimin nga COVID-19 për këtë pacient.

Ju bëj me dije se, në 24 orët e fundit janë testuar 60 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Tre janë raste kontakti në gjendje të mirë shëndetësore dhe një rast i ri, një pacient 66-vjeçar që po trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT. Deri në këto momente janë testuar 665 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 59 raste:

Tiranë 42 raste
Durrës 5 raste
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 6 raste
Rrogozhinë 2 raste

30 pacientë janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Rrogozhina).

Prej tyre, tre pacientë janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Edhe një herë një lutje për qytetarët: Mos shkoni menjëherë në spital!
Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes!

Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.