3 arsyet përse koronavirusi ka qenë kaq i ‘suksesshëm’

Përse është kaq i suksesshëm koronavirusi i ri? Disa ekspertë italianë kanë hedhur dje tezën se virusi ka pësuar mutacion dhe është bërë shumë më i frikshëm.

Të tjerë besojnë se virusi është prodhuar në laborator dhe është lëshuar qëllimisht te njerëzit.

Pavarësisht se nuk ka asnjë provë për këtë të fundit, fakti se ky koronavirus është kaq efektiv, ka bërë që të zgjohen teori nga më të ndryshmet.

Një shkrim viral i revistës së njohur ‘The Atlantic’, thotë se ka tri arsye se përse virusi është përhapur në mënyrë të frikshme.

E para, lidhet me formën e virusit. Jo më kot quhen viruset e koronës, pra të kurorës, sepse janë si një topth me disa kunja ose gjemba rreth e qark. “Struktura e virusit është në formën e një topthi me disa thumba. Këto thumba identifikojnë dhe më pas ngjiten te një proteinë e quajtur ACE2, e cila gjendet në sipërfaqen e qelizave tona. Ky është hapi i parë i një infeksioni. Konturet e sakta të koronavirusit të ri lejojnë që ai të ngjitet shumë më fort në ACE2 se koronaviruset e tjera, dhe ka të ngjarë që kjo është arsyeja themelore e transmetimit nga një person te tjetri”.

E dyta, sërish lidhet me formën e virusit. “Shumica e viruseve respiratorë kanë tendencë të infektojnë ose rrugët e sipërme, ose rrugët e poshtme ajrore. Në përgjithësi, një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes përhapet më lehtë, por ka tendencë të jetë më i butë, ndërsa një infeksion i rrugëve ët poshtme është më i vështirë për t’u transmetuar, por më i rëndë. Virusi i ri duket se infekton edhe rrugët e sipërme, edhe ato të poshtme ajrore pasi mund të përdorë një furinë shumë të fuqishme”.

E treta lidhet me lehtësinë me të cilën ka bërë kalimin nga kafshët te njeriu. “Virusi i ri duket shumë efektiv në infektimin e njerëzve, pavarësisht origjinës shtazore. Një i afërm i tij është gjetur te lakuriqët, çka sugjeron se ka kaluar te njerëzit duke përdorur një specie tjetër. Koronaviruset klasikë duan ca kohë derisa të pësojnë mutacion dhe të ngjiten mirë te ACE2. Por ky koronavirus mund ta bëjë këtë që nga dita e parë. Ai e ka gjetur menjëherë mënyrën për të hyrë te njerëzit”.

Kjo e treta është arsyeja që nxitur kaq shumë teori konspirative se koronavirusi mund të jetë prodhuar nëpër laboratore.