Zhgënjim me Sarrin, Juventus rikthen Allegrin?

Mediat italiane raportojnë bujshëm se Juventusi mund ta shkarkojë Maurizio Sarrin dhe të rikthejë Massimiliano Allegrin, i cili ende ka kontratë me klubin.

Kampioni në fuqi e lëshoi nga dora një epërsi minimale për të humbur 2:1 ndaj Hellas Veronës të shtunën, duke e regjistruar humbjen e tretë sezonale në Serie A pas atyre ndaj Lazios dhe Napolit.

Kjo ia ka mundësuar Interit t’i zërë bardhezinjtë në krye të renditjes tabelore.

Sarri u soll në klub për t’i dhënë një stil më atraktiv të lojës skuadrës tashmë dominuese të Juves, me drejtuesit që shpresonin se kjo do t’u shërbente atyre edhe në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, përveç rezultateve më të dobëta se Allegri, Sarri ka treguar shenja të vogla të stilit të tij të lojës po ashtu.

Sipas La Repubblica, një grup brenda klubit ka bërë thirrje që të kthehet Allegri, me vetë presidentin Andrea Agnelli që nuk është i bindur plotësisht nga Sarri.

Allegri ende ka kontratë me Juven, pasi u shkarkua nga detyra në qershor përkundër se i fitoi pesë tituj radhazi në Serie A.