Tragjedia/ Zyrtarja e Policisë vret 4 anëtarë të familjes së saj në Gjilan dhe pastaj veten

Gjilani është tronditur nga të shtëna të shumta armësh gjatë mesditës së sotme. Nga të dhënat e para mësohet se nga të shtënat ka patur disa viktima, të cilët janë nga e njëjta familje.

Siç raportojnë mediat e Kosovës, ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Bojanina” në Gjilan dhe dyshohet se bëhet fjalë për pesë viktima.

Mësohet se vajza e familjes, e cila ishte police, fillisht ka qëlluar ndaj familjarëve duke i lënë të vdekur në vend dhe më pas ka vrarë edhe veten.

Prokuroria e ka konfirmuar se pesë persona kanë ndërruar jetë në Gjilan, raporton Gazeta Express. Kjo u bë e ditur përmes një komunikate nisur për media.

Sipas prokurorisë rasti ka ndodhur në lagjen “Bujanina” në Gjilan ndërsa, e ndjera V.B, ishte zyrtare policore.
Fillimisht, ajo dyshohet se ka vrarë dy prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj ka kryer vetëvrasje.

Komunikata e plotë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje. Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen “Bujanina”, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë. Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë.