Tirana 2020 nuk e njeh Tironën e 1920-ës…

70

Nga Jorida TABAKU

100 vjet më parë një qytet i bukur mu në zemër të Shqipërisë u shpall kryeqytet i përkohshëm i shqiptarëve. Tirana e 1920 ishte e bukur dhe u bë edhe më e bukur pasi kush erdhi e dashuroi dhe e veshi atë me një plan për të zhvilluar një qytet modern duke mos i fshirë historinë e Tironës.

Si çdo ëndërr e bukur ky qytet u shkatërrua dhe u copëzua sa nga arkitektura soc-realiste që diktoi vendin për 50 vjet aq edhe nga çmenduria frenitike e ndërtimeve të pallateve dhe kullave.

Tirana e 2020 nuk e njeh Tironën e 1920 dhe jo sepse qytetarët kanë harruar por sepse sistematikisht pushtetet totalitare e kanë përdhosur historinë e një qyteti të lindur në një luginë buzë Dajtit.

Tirana e tironsve, dibronve, çamëve, toskëve, gegëve dhe dardanëve është e bukur pasi zemra e saj mbetet e njëjta si 100 vjet më parë. Sado që përpiqen ta shëmtojnë duke ia prishur hijeshinë e një qyteti të ri por me histori dhe traditë, ajo sërishmi lulëzon si një princeshë që nuk rresht së habituri.

Aq sa Edit Durham do të shkruante për Tiranën e shtëpive me kopshtet mbushur me qershi, fiq, kumbulla dhe arra…të një qyteti të pastër, të mbushur me jetë, xhami të pikturuar me ngjyra. Një Tiranë që sot nuk ekziston pasi është varrosur në pluhurin e betonit që do të mbysë Tironën që Durhamit i erdhi keq që ndejti më pak se tri ditë.