Spiropali mbështet Ramën: S’më intereson fare letra e Dades dhe socialistëve të tjerë!

Arta Dade dhe disa anëtarë të njohur të Partisë Socialiste i kanë drejtuar një mocion Kongresit të partisë, ku kërkojnë reformimin e kësaj partie dhe largimin e Edi Ramës.

Objektivat kryesorë të mocionit janë: Parti me liri fjale, votim të ndershëm, vendimmarrje dhe drejtim kolegjial. Parti me integritet, e pakapshme nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Anëtarët që kanë propozuar këto ndryshime janë: Arta Dade, Eva Teqja, Ibrahim Sula, Irena Beqiraj, Luan Zhegu, Maqo Lakrori, Nazmir Bilali dhe Përparim Bodinaku.

E pyetur nga gazetarja Mirela Milori, se ç’mendon për këto propozime, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali tha se “nuk i intereson fare”.

“S’më intereson fare. Me gjithë respektin për zonjën Dade, kur një letër mbaron me kërkesën për largimin e kryetarit të partisë, të partisë më të votuar sot për sot, që ka fituar dy palë zgjedhje rresht, nuk di ç’të thuash”, tha Spiropali.