Si u bë Ben Blushi miliarder, ja në emër të kujt e kaloi pasurinë 5 milionë dollarë

Pasuria e ish-politikanit dhe gazetarit, të kthyer së fundi në menaxher të një televizioni, Ben Blushi llogaritet të jetë me miliona e miliona dollarë. Kjo sipas deklarimeve që ai ka bërë, gjatë kohës që ka qënë deputet dhe ka mbajtur detyra shtetërore. Pra, kur ka pasur detyrimin e vetdeklarimit. Gjithçka ne e kemi sjellë në këtë link, ku mund të lexoni të plotë pasurinë e tij, e cila i përket nga vitit 2003 deri në vitin 2017.

Pra, për rreth 14 vjet pasuria e tij vetëm shtohet. Por, sa të vërteta janë ato deklarime dhe sa vlejnë pasuritë e tij në të vërtetë, a ka fshehje a ka deklarime të pavërteta, për këtë nuk është bërë kurrë një hetim?! Eshtë momenti për të pasur një të tillë, për t’i hapur një herë e mirë letrat e Ben Blushit, për të parë të vërtetën sesi një pronë në mes të Korçës, një biznes me një sipërfaqe 200 metër katëror në total, së bashku me garazhdet, blihet për 30 mijë euro dhe pastaj jepet me qera për 2 mijë euro në muaj.

Dhe për gati 18 muaj shlyen veten e tij, kur në fakt ajo vlen të paktën 500 milion lekë.

Këto detaje CNA.al i ka sjellë më parë, por sot do të sjellë të tjera detaje dhe të dhëna mbi një investigim të plotë të bërë nga ne dhe siç kemi raportuar më parë, sot do të sjellim një tjetër detaj në lidhje me pasuritë e Ben Blushit.

Një skemë që tregon qartësisht sesi familjarë dhe të afërm të tij janë bërë të pasur, milionerë, me prona dhe pasuri të paluajtshme, të cilat kapin vlera disa miliona dollarë.

Ky pallat që shikoni në këtë foto i përket në pronësi një ndërtuesi dhe një tjetër personazhi. Ai është ish-vjehrri i Ben Blushit, i ndjeri A. Brati. Një ish-jurist që çuditërisht një ditë kthehet në ndërtues dhe bëhet shpejt e shpejt miliarder. Dhe si u bë i tillë, skema e mëposhtme e tregon qartë.

Ndërtuesi nga ana tjetër e ka akuzuar dhe është në disa procese gjyqësore dhe gjithçka ka filluar me një skemë të parapërgatitur.

Influenca e Ben Blushit për të nxjerrë lejen e ndërtimit, ka qënë e padiskutueshme. Ndërtuesit i është dashur një ortak, një bashkëaksioner, i cili të mund ta ndihmonte për t’i nxjerrë lejen. Dhe kështu ka ndodhur. Formalisht ka pasur një kontratë të ndërtuesit me vjehrrin e Ben Blushit, i cili ishte jurist. Dhe gjoja për shërbimet e kryera dhe pagesat e pamarra, hapet një gjyq për truallin e pallatit që shihni në foto, në pronësi të ndërtuesit, një pjesë e saj i hiqet blerësit dhe i jepet me një gjyq formal, me një marrëveshje totale vjehrrit të Ben Blushit.

Ky është momenti i fillimit të miliardave. Një skemë e pastër. Vjehrri si jurist përfiton pronësinë e truallit. Më pas sigurohet leja e ndërtimit, dhe vjehrri merr përqindjet si pronar trualli. Kështu ka ndodhur, kjo është skema. Eshtë po i njëjti ndërtues në ortakëri me vjehrrin e Ben Blushit, i cili i ka shitur këtij të fundit për 30 mijë euro pasurinë që ne e përmendem më lart. Një aktivitet me qindra-mijë dollarë, e blerë për vetëm 30 mijë euro.

Por, që mesa duket është vetëm një nga detajet, pasi marrëdhënia e këtij ndërtuesi me vjehrrin e Ben Blushit, thellohet.

Skema kuptohet. Së pari bëhesh bashkëpronar, pastaj zhvilloojmë truallin, merret leja e pallatit dhe s’ka nevojë të dalë as Ben Blushi dhe as ndonjë tjetër. Por, vjehrri jurist kaq i famshëm sa për fatura dhjetëra mijë euro konsulencë juridike përfiton një truall në qendër të Tiranës, si pjesëtar me një çmim dhe një vlerë qesharake. Më pas kjo pronë zhvillohet. Këtu nxirret një leje ndërtimi dhe milionat vetëm shtohen.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga CNA.al dhe duke parë regjistrat e Kadastrës Tiranë, pra Hipotekës së djeshme, thuhet se në datën 23 janar të vitit 2013 vjehrri i Zotit Blushi ka përfituar 302.2 metër katëror dyqan, plus 43 metër katëror pronë e përbashkët. Pra, njësi tregëtare.

Gjithashtu ka përfituar një tjetër njësi tregtare me sipërfaqe 163.3 metër katëror. Në qendër të Tiranës ndodhet ky pallat. Ndodhet tek ish-Stadiumi Dinamo, “Selman Stërmasi” sot, i cili përdoret nga Klubi Tirana.

Këto janë dyqanet të cilat kanë një vlerë nga katër deri në pesë mijë euro për metër katëror në treg, të cilat ndodhen në katin e parë të këtij pallati.

Pra, rreth 500 metër katëror, që afërsisht bëjnë rreth 2 deri 2-5 milionë euro.

Më tej, sipas të dhënave është një apartament me sipërfaqe 113.8 metër katëror, me 17 metër katëror pronë të përbashkët. Më tej, një tjetër apartmanent me sipërfaqe 115 metër katëror, me 17.2 metër pronë të përbashket.

Një tjetër apartament 112.4 metër katëror plus 16.8 metër katëror pronë të përbashkët.

Një apartament 114.7 metër katëror, plus 27.4 metër katëror pronë të përbashkët.

Një apartment 67.4 metër katëror.

Një tjetër apartament 140 metër katëror, plus 21 metër katëror pronë e përbashkët.

Në një përllogaritje të thjeshtë, sipërfaqja është 663.3 m2 sipërfaqe banimi plus dhe 99.4 m2 sipërfaqe e përbashkët, me një vlerë e cila shkon edhe kjo gati në 2 milion euro.

LEXO EDHE: Investime miliona lekë në patundshmëri/ Prokurori i Apelit të Tiranës në luks
Pra, në total janë total 500 m2 ambiente për njesi tregtare që shkojnë deri në 5 mijë euro për m2 dhe 762.7 m2 sipërfaqe banimi në total, me vlerë nga 2 mijë euro për m2.

Që në total janë mbi 4 milionë euro pasuri e paluajtshme ose gati 5 milionë dollarë.

Me kohë, pra me vitin 2013, çmimet mund të kenë një diferencë më të ulët, por vlera e tregut të pallatit që ndodhet në zemër të Tiranës, është mjaft e lartë.

Apartamentet fillojnë minimalisht me 2 mijë euro metri katëror dhe njësitë e biznesit nga katër deri në 5 mijë euro për metër katëror.

E gjithë kjo pasuri prej mbi 4 milion euro është përfituar nga i vjehrri i ndjerë i Ben Blushit, thjeshtë nëpërmjet skemës që ne përmendëm më lart. Pra, ndërtuesi ka një truall, për të cilin del garant ta zhvillojë Ben Blushi. për të ndihmuar dhe për të nxjerrë lejen e ndërtimit. Kjo sipas vetë ndërtuesit.

Por, çfarë ka ndodhur?

Truallin, në pronësi të ndërtuesit, për konsulenca të papaguara juridike, vjehrri i Ben Blushit përfiton një sipërfaqe të caktuar. Më pas me ndërhyrje, ky truall merr lejen e ndërtimit. Kthehet në një pallat të madh, me ambiente biznesi dhe ambiente banimi. Ku në fund, vjehrri i Ben Blushit ka përfituar rreth 4 milion euro pasuri me çmimin e tregut të sotëm.

Nga ana tjetër, me po të njëjtin ndërtues, Ben Blushi ble një biznes rreth 200 metër katëror në Korçë, me vlerë vetëm 30 mijë euro, kur vlera e tregut ishte rreth 500 milion lekë. Dhe më pas ka edhe një tjetër shkëmbim.

Nga pallati që ne e tregojmë në foto, me aktivitetin në Korçë, ku rreth 120 metër katëror të vjehrrit të Ben Blushit në Tiranë, këmbehen me 120 metër katëror të një ambienti në pronësi të ndërtuesit në fjalë, në Korçë, i cili është karshi pronës, që Ben Blushi e kishte blerë për vetëm 30 mijë euro.

Këto janë detajet e para nga investigimi ynë, por CNA.al do të vijojë të sjellë më shumë të dhëna në lidhje me këtë pasuri, e cila nxjerr zbuluar faktin sesi një politika dhe të afërm të tij nëpërmjet skemash të ndryshme kanë mundur të pasurohen në mënyrë të shpejtë, duke siguruar miliona e miliona euro pasuri.

Sot, në Shqipëri po ndodh një Vetting për drejtësinë. Një Vetting për gjyqtarë dhe prokurorë. Ende nuk ka filluar për politikanët. Një Vetting që ka hequr gjyqtarë për pesë apo dhjetë milion lekë të vjetra, apo ka larguar prokurorë nga detyra për apartamente 20 apo 30 metër katëror. Apo për kushërinjtë e tyre të parë të pasur dhe rrethin e tyre familjar.

Ndërsa Ben Blushi, jo vetëm vetë ka mundur që gjatë periudhës së tranzicionit politik në Shqipëri të bëhet një miliarder, por ai ka kthyer në miliarder edhe të afërm të tij, me skema të qarta, për të cilat akuzohet nga vetë ndërtuesi.

CNA.al do të sjellë nesër dhe në ditët në vijim të tjera të dhëna të papublikuara më parë dhe prononcime dhe qëndrime ekskluzive në lidhje me këtë pallat dhe gjithçka që lidhet me pasurinë prej miliarderi të oligarkut të medias, Ben Blushi.

Pasuritë e Ben Blushit dhe familjarëve të tij janë miliona dollarë, si të një arabi me puse nafte, një sheik mediatik. Por këto nuk janë të vetmet. Pasi Ben Blushi ka në emër të bashkëshortes së tij aksione në katër kompani, një prej të cilave në Bullgari. Po ashtu ka disa qindra mijë dollarë kesh në banka, prona të paluajtshme në Tiranë e Korçë dhe dalëngadalë pret kthimin e këtyre pasurive si trashëgimi nga vjehrri tek bashkëshortja e tij. / CNA.al/