Si kaloi përmes Shqipërisë 1.3 ton kokaina që u bllokua në Maqedoninë e Veriut

1.3 ton kokainë është sekuestruar këtë mbrëmje në Maqedoninë e Veriut. Sipas informacioneve paraprake, një kamion ka kaluar nga pika kufitare e Hanit të Hotit e më pas në atë të Qafë Thanës drejt Maqedonisë. Lënda narkotike raportohet se ka ardhur nga Amerika.

Tre persona raportohet se janë arrestuar por identitetet e tyre ende nuk bëhen me dije. Në operacionin policor janë aktivizuar DEA amerikane, Guarda di Finanza dhe Policia shqiptare. Lënda narkotike është sekuestruar në një magazinë frutash. Vlera e kokainës nëse do të nxirrej në treg, mund të kapë shifrën mbi 300 milionë euro.

Informacionet e para sipas agjencisë “INA” thonë se kokaina fillimisht ka ardhur nga Amerika në Bar (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Për arsye të panjohura për momentin, destinacioni është ndryshuar dhe kokaina ka përfunduar në Shqipëri e më pas në Krushopek.

Mediat maqedonase bëjnë me dije se si pasojë e aksionit kanë rënë në pranga të paktën 3 persona, 2 shoferë dhe 1 magazinier që punonin në magazinën e frutave ku u gjet edhe droga.