Si diktatura i ndërseu “vullnetarët e Enverit” popullit dhe puçi i dështuar ushtarak i Shkollës së Bashkuar

Menjëherë pas rrëzimit të bustit, përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, pranoi se emri i diktatorit do të hiqej nga universiteti. Ndërkohë u publikua një lajm i dalë nga kabineti i Kryeministrit, Adil Çarçani, në të cilën thuhej: “Meqë do të riorganizohej, Universiteti i Tiranës nuk do të ketë më emrin e Enver Hoxhës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.

Pas humbjes së bustit, vullnetarët e Enverit kërcënuan se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur monumentin dhe se do të shpallnin kryeqytet të ri të Shqipërisë, Vlorën. Më 21 shkurt 1991, ora 11:00 nga Blloku i udhëheqjes dëgjohen krisma.

Ndodh një grumbullim spontan, i cili marshon drejt Bllokut. Turma ndalohet nga Neritan Ceka tek Hotel “Dajti”. Në këto rrethana, Ramiz Alia shpalli krijimin e Këshillit Presidencial, Adil Çarçani largohet dhe vendin e tij e zë Fatos Nano, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste.

Më 22 shkurt, gjendja acarohet më shumë, nis revolta e ushtarakëve në Akademinë e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Sigurimi i Shtetit fillon goditjen ndaj demokratëve. Goditen shumë veprimtarë të PD në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, Fier, Lushnjë etj. Ushtarakët shpallin një Komision Nismëtar të Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit.

Ata u lëshuan një ultimatum forcave politike për një referendum për Enverin, si dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e monumenteve dhe vënien e RTSH nën varësinë direkte të Këshillit Presidencial. Ushtarakët kërkojnë revansh.

Më 22 shkurt, zhvillohet një takim mes tyre dhe politikanëve. Takimi i 22 shkurtit pati një ndeshje të ashpër mes përfaqësuesve të opozitës të kryesuar nga Abdi Baleta dhe ushtarakëve. Baleta deklaroi menjëherë se, veprimet e ushtarakëve mund të quhen grusht shteti.

Situata u tensionua pas lajmit se, ushtarakët do të vinin natën bustin e diktatorit që kishin në shkollën e tyre, në Sheshin “Skënderbej”. Turma e popullit rrethoi Akademinë. Ndërkohë edhe brenda në shkollë pati përleshje mes studentëve ushtarakë, por dhe kundër Enverit.

Ushtarakët kulmin e presionit do ta arrinin kur thirrën Ramiz Alinë në Ministrinë e Brendshme. Ata i kërkuan atij llogari se, përse nuk kishte marrë masa për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Ramizi u mbrojt duke thënë se, “kishte dhënë urdhër për të qëlluar, por nuk e kishin zbatuar urdhrin”. Më 23 shkurt, Tirana gdhihet e tronditur nga përgjakja.

Sipas lajmeve të kohës ka patur katër të vrarë, përfshirë një polic dhe një vajzë 12-vjeçare me emrin Olta. Ajo vdiq, duke parë televizorin në shtëpinë e saj nga një plumb qorr. Vendi po shkonte drejt katastrofës dhe dëshpërimit. Ndërsa më 6 mars, 20 mijë vetë hipën nëpër anije në Durrës dhe u nisën drejt Italisë, duke lënë pas pak shpresë për një jetë në paqe dhe qetësi.