SHBA arreston profesorin e Harvard, fshehu lidhjet me Kinën, paguhej 50 mijë USD në muaj

Shtetet e Bashkuara i kanë akuzuar dy hulumtues kinezë dhe një profesor të Harvard-it për shkak të asistencës që ia kanë dhënë Kinës.

Shefi i një departamenti në Harvard, Charles Lieber, akuzohet për gënjeshtra rreth lidhjeve të tij me Kinën, ndërsa hulumtuesit kinezë u akuzuan për ushtrimin e fshehtë të detyrave të agjentëve të huaj.

Universiteti i Harvard-it i cilësoi këto akuza si tepër serioze dhe përmes një deklarate njoftoi se profesori Lieber është suspenduar për kohë të pacaktuar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Prokurorët amerikanë thanë se Yanqing Ye, hulumtuese e robotëve në Universitetin e Bostonit, e ka fshehur faktin që ka qenë pjesë e ushtrisë kineze.

Ajo akuzohet se e ka identifikuar veten si studente në mënyrë të rrejshme dhe ka vazhduar të punojë për Armatën Çlirimtare Popullore të Kinës në kohën kur i ka kryer disa detyra në Shtetet e Bashkuara.

Hulumtuesi tjetër kinez, Zaosong Zheng, i cili merret me studimin e kancerit, u arrestua në Boston dhe në valixhe iu gjetën 21 shishe me mostra biologjike. Prokurorët besojnë se ai e kishte planifikuar kthimin në Kinë dhe vazhdimin e kërkimeve shkencore në atë vend.

Sipas dokumenteve të gjykatës, profesori Lieber i ka përfituar më shumë se 15 milionë dollarë nga grantet e Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe nga Departamenti i Mbrojtjes.

Përfituesit e këtyre granteve duhet të dëshmojnë se nuk kanë konflikte interesi, përfshirë ndonjë përkrahje financiare nga qeveritë apo organizatat e huaja.

Megjithatë, në vitin 2011, Lieber ishte bërë pjesë e Universitetit të Ëuhan-it për Teknologji. Kina e paguante profesorin e Harvard me 50 mijë dollarë në muaj. Ai gënjeu Departamentin e Mbrojtjes për këto para.