Ronaldo rrëfen pse u largua nga Interi: I dhashë Morattit ultimatum…

Legjenda braziliane Ronaldo e ka kujtuar largimin nga Interi dhe ka treguar përse kishte vendosur ta ndërmerrte një hap të tillë atëbotë.

Ronaldo, i njohur si Fenomeni, kishte qëndruar në Inter për pesë vjet, por u largua në verën e vitit 2002 pas problemeve personale me trajnerin e vet, Hector Cuper.

Zikaltrit e humbën titullin në Serie A në ndeshjen e fundit të sezonit 2001-02 në mënyrë famëkeqe, pasi u mposhtën 4:2 nga Lazio, duke ia mundësuar Juventusit ta fitojë titullin pas triumfit 2:0 ndaj Udineses.

Ronaldo më pas e fitoi Kupën e Botës me Brazilin, ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me tetë gola.

Pas rikthimit në Milano, ai u takua me presidentin Massimo Moratti, për ta zgjidhur të ardhmen e vet.

“Isha shumë i lumtur në Milano. E ndieja dashurinë pakushte të tifozëve dhe nga e gjithë bota”, tha Ronaldo për DAZN.

“Cuper ishte trajneri ynë, ama unë nuk mund të vazhdoja. Fola me Morattin dhe i thashë: ‘Ose largohet ai ose unë, sepse nuk mund të vazhdojmë bashkë’. Tregimi im me Interin mbaroi keq, ai e parapëlqeu Cuperin para meje. Dhe këtu nisi tregimi im me Real Madridin”, shtoi ai.

Ronaldo u largua nga Interi dhe iu bashkua Real Madridit për 25 milionë euro në fund të afatit kalimtar të verës më 2002. Zikaltrit e transferuan Hernan Crespon nga Lazio si zëvendësues të tij.

Interi e arriti gjysmëfinalen në Ligën e Kampionëve në sezonin pasues 2002/03, ku u mposht nga Milani falë golit si mysafir, derisa Ronaldo e fitoi titullin në La Liga me Realin.

Cuper u shkarkua nga Interi në tetor të vitit 2003, pas një fillimi të dobët të sezonit 2003/04 në Serie A.