Real Madrid përgatitet për transferimin e Haaland

Los Blancos tashmë janë duke u përgatitur për afatin kalimtar të verës, përkundër që ka mbetur mjaft shumë kohë deri në fund të sezonit. Drejtuesit madrilen e kanë prioritet transferimin e Erling Haalandit.

E përditshmja spanjolle Marca raporton se Real Madridi e ka identifikuar sulmuesin e Borussia Dortmundit, Erling Haalandin, si opsionin numër një për transferimet gjatë kësaj vere.

Drejtuesit e Real Madridit kanë marrëdhënie mjaft të mirë më gjigantin gjerman dhe besojnë se ata mund të arrijnë marrëveshje për transferimin e 19-vjeçarit shpejt pasi të hapet afati kalimtar i janarit.

Nëse Dortmundi është i gatshëm ta shesë Haalandin menjëherë gjashtë muaj pasi e bleu nga RB Salzburgu, atëherë Real Madridi do t’ua shesë Achraf Hakimi në mënyrë permanente, pasi që këtë verë i përfundon kontrata për huazim.

Haaland ka qenë në formë të jashtëzakonshme këtë sezon 2019/20 dhe për këtë arsye është bërë njëri ndër lojtarët më të kërkuar në Evropë. Ai ka kontribuar me 40 gola dhe tetë asiste në 30 ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Në anën tjetër, Real Madridi është i interesuar edhe për Timo Wernerin e RB Leipzigun dhe Lautaro Martinezin e Interit, mirëpo Haalandi është opsioni i tyre i parë për ta zënë vendin e qendërsulmuesit në Santiago Bernabeu.