Rama lan duart me skandalin seksual në Fier, shkarkohen mësuesit, nuk preket ministrja e Arsimit

Skandalet seksuale në një shkollë në Fier kanë tronditur opinionin publik. Zërat që kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit, Besa Shahini janë të shumtë.

Së fundmi edhe opozita kërkoi largimin e saj. Kjo për shkak se rasti i Fierit nuk është as i vetmi, pasi skandalet seksuale me minorene nëpër shkolla janë publikuar vazhdimisht nga mediat.

Por ministrja reagoi me një deklaratë të ministrisë, duke thënë se janë marrë masa të cilat nuk janë trumbetuar në media. Ajo e quan makabre edhe përdorimin politik të kësaj situate.

Skandali i zbuluar në një shkollë të Fierit ka detyruar Ministrinë e arsimit të ndërhyjë ma marrjen e masave. Reagimi i këtij institucioni ka ardhur pas publikimit në TV të një rasti, ku mësuesit abuzojnë seksualisht me një nxënëse.

Reagimi

Të gjithë personat e dyshuar si të përfshirë për abuzime ndaj nxënësve në rastin e një shkolle në Fier janë shkarkuar apo janë duke u ndjekur edhe penalisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka marrë masa të tjera të menjëhershme si ndryshimin e pjesëtarëve kryesorë të stafit të institucionit arsimor, dhënien e ndihmës psiko-sociale, ndërsa ndjekim nga afër çdo zhvillim në lidhje me hetimet e organeve kompetente.

Parandalimi është kyç, prandaj rregullorja e re e arsimit parauniversitar parashikon dënimet më të larta për ata që nuk punojnë në të mirën e nxënësve, abuzojnë apo përdorin çfarëdo lloj forme të dhunës në shkollë. Masat janë marrë edhe pse jemi ende në gjendjen e dyshimeve dhe jo përfundimeve finale, që tregon seriozitetin me të cilin MASR dhe institucionet e varësisë marrin në raste të tilla.

Natyrisht, masat e ndërmarra nuk janë trumbetuar në media për shkak se qëllimi ynë nuk është të bëjmë dëm duke ekspozuar ata që ndihen të dëmtuar. Gjë, të cilën po e bëjnë ata që nuk po rreshtin së shfrytëzuari në mënyrë makabre këtë rast për tërheqje vijueshmërie mediatike apo qërim hesapesh politike. Ky është abuzim në vete dhe si MASR kemi detyrimin të luftojmë edhe këtë formë të abuzimit në mbrojtje të nxënësve tanë.