Qeveria reagim të fortë kundër paketës së re të opozitës për një gjykatë të paanshme dhe të pavarur në procesin zgjedhor

• Paketa e re e opozitës për t’iu drejtuar një gjykate të paanshme dhe të pavarur në procesin zgjedhor është thelbësore për të arritur kompromisin në reformën zgjedhore.

• Paketa propozon pezullim të vetingut gjatë ushtrimit të detyrës si gjykatës për zgjedhjet me qëllim mbrojtjen e tyre nga presioni politik. Paketa është në zbatim të rekomandimeve prioritare të ODIHR.

• Me të mbaruar mandatin si gjykatës për zgjedhjet, ata i nënshtrohen të gjitha rregullave të kontrollit të vettingut. Paketa nuk i jep askujt, në asnjë moment imunitet nga ndjekja penale për korrupsion apo për çdo lloj krim tjetër.

• Qeveria pati një reagim të fortë kundër, sepse do që të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat, me të cilët ata sot kapin gjyqësorin dhe ushtrojnë presion, përfshi edhe mbi Kolegjin Zgjedhor.

DEKLARATA E OERD BYLYKBASHIT, PËRFAQËSUES I OPOZITËS
NË GRUPIN POLITIK PËR REFORMËN ZGJEDHORE.

Sot opozita bëri propozimin e paketës tjetër për reformën zgjedhore, në përputhje me kalendarin e miratuar. Tashmë, opozita ka propozuar gjashtë paketa, bashkë me këtë, dhe pritet që, në ditët në vijim, të jetë edhe një e shtatë në lidhje me financimin e partive politike. Propozimi i sotëm është shumë i rëndësishëm. Është një element themelor i procesit zgjedhor – e drejta për t’iu drejtuar një gjykate të paanshme dhe të pavarur. Shqiptarëve, për fatin e keq të tyre, jo vetëm nuk u garantohen zgjedhje, por u mohohet edhe e drejta për t’u ankuar në një gjykatë të pavarur, të paanshme dhe funksionale.

Raporti i OSBE/ODIHR-it konstaton, me një kritikë të paprecedentë, sesi nën presionin politik nga vetingu, Kolegji Zgjedhor, gjykata e posaçme e krijuar mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjit për të mbrojtur të drejtat zgjedhore, ishte gjysmake në periudhën zgjedhore dhe ishte nën presionin e vetingut dhe për rrjedhojë nuk ishte as e paanshme dhe as e pavarur. Jo vetëm kaq, por përsëri OSBE/ODIHR-i konstaton me një shqetësim thelbësor sesi edhe Gjykata Kushtetuese, që duhet të garantojë të drejtat kushtetuese në procesit zgjedhor; sekretin e votës –i cënuar, lirinë e votës- e cënuar, barazinë e palëve në proces –e cënuar – të gjitha këto të drejta është e pamundur, thotë ODIHR-i, që të mbrohen përpara Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo thjesht nuk ekziston.

Duke qenë se është një rekomandim prioritar dhe duke qenë se pa një garanci gjyqësore, procesi zgjedhor nuk mund të jetë kurrë një proces në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e OSBE-së dhe të Këshillit të Europës, kjo paketë sot nuk është vetëm për të vënë një kryq tek lista e çështjeve, por është thelbësore për të arritur kompromisin në reformën zgjedhore. Pati një reagim shumë të fortë nga maxhoranca, e cila do që të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat me të cilët ata sot kapin gjyqësorin dhe ushtrojnë presion, përfshi edhe mbi Kolegjin Zgjedhor. Ne këtë nuk do t’ia lejojmë. Gjykatat që mbrojnë të drejtat zgjedhore duhet të jenë të pavarura në Republikën e Shqipërisë.

Pyetje: Pse nuk është propozuar që anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor të jenë gjyqtarë që e kanë kaluar vettingun? Maxhoranca u shpreh e gatshme të pranonte këtë formulë.

Oerd Bylykbashi: Numri i gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun është shumë i vogël. Është një process, i cili është thelbsisht problematik. Ju keni rastin e gjyqtarit Dvorani, i cili nuk justifikon 100 milion lek dhe, megjithatë, në procesin e vettingut askush nuk u kujtua ta ankimonte atë vendim të turpshëm, i cili, më pas, bëri të mundur që të kemi këto zhvillime që po ndodhin sot. Ky është mekanizmi i kapur politikisht i vettingut dhe ne nuk kemi ndërmend këtë të ndodhë.

Por ajo që ne propozojmë është: të gjithë ata gjyqtarë që nuk i janë nënshtruar ende procesit të vettingut dhe të gjithë ata gjyqtarë që e kanë mbaruar procesin e vettingut, pra ata që nuk janë të zënë në kurth, të jenë gjyqtarët që duhet të përzgjidhen me short dhe më pas, për një periudhë të caktuar, ata të mbrohen nga presioni politik. Dhe në fund të procesit, kur të kenë mbaruar mandatin e tyre, ata t’i nënshtrohen të gjitha rregullave të kontrollit të vettingut dhe çdo kontrolli tjetër, në mënyrë që të jenë të pastër para shqiptarëve. Nga ana tjetër, askush, as sot e as mot, nuk do të jetë imun nga ndjekja penale për korrupsion apo për çdo lloj krim tjetër. Pra, edhe propozimi ynë, në asnjë rast, nuk i heq mundësinë prokurorisë që të çojë para drejtësisë këdo që është i korruptuar.

Faleminderit.