Pse nuk është aspak e çuditshme se çfarë po ndodh me Edi Ramën!

116

Nga Erl KODRA

“Ne nuk mund të negociojmë me njerëz që thonë se ajo që është e imja është e imja dhe ajo që është jotja është e negociueshme”.
John F. Kennedy

Shqiptarët në Ballkan janë ekzistencë, në kuptimin e parë të kësaj fjale. Të shtrirë në kohë dhe hapësirë, ata i janë imponuar botës kryesisht nëpërmjet ekzistencës dhe mbijetesës, por jo edhe nëpërmjet formave të tjera, siç janë luftrat, aleancat dhe blloqet politike ndërkombëtare. Është gati e pabesueshme, por ne e fituam vëmendjen dhe empatinë e perëndimit vetëm atëherë kur ekzistenca jonë u rrezikua seriozisht. Lufta e Kosovës e provon pamëdyshje se SHBA-të dhe vendet e tjera perëndimore ndërhynë në Kosovë kur ekzistenca jonë u gjend nën rrezik potencial, pikërisht atëherë, kur Kosova po zbrazej nga populli i saj.

Shqiptarët në Ballkan iu imponuan perëndimit duke mbrojtur jetën e tyre. Domethënë, ata nuk fituan vëmendje kur kërkonin lirinë, as kur kërkonin vetqeverisje, as kur kërkonin drejtësi shoqërore, por vetëm atëherë kur ekzistenca e tyre u vu në pikëpytje. Vetëm atëherë kur ambasadori William Walker tha se, “në Kosovë janë vrarë civilë të pafajshëm, dhe se ky është një krim kundër njerëzimit”, njerëzimi (lexo ShBA dhe të tjerët) e kuptoi se nuk e ka luksin që të lejojë shuarjen e një race të lashtë. Pjesa tjetër e historisë, dihet. Me sa duket, çdo e drejtë e shqiptarëve, përveç ekzistencës, ka qenë e negociueshme.

Sot gjendja e shqiptarëve është krejtësisht e ndryshme dhe komplekse, krahasuar me të njëjtën periudhë të 21 viteve më parë. Në të vërtetë, fjala “komplekse” ngjanë disi e dobët për të dhënë kuptimin thellësisht të vështirë dhe kompleks ku ndodhet ekzistenca jonë. Në përpjekje për të kuptuar thelbin e vështirësive, papritur gjendesh përballë të papriturave enigmatike, siç është ndryshimet e raporteve, interesave pragmatike dhe fazës së re në të cilën kanë hyrë marrdheniet ndërkombëtare mes fuqive të mëdha, tashmë globalisht.

Në këtë kuptim, duket se bota e para 21 viteve i përket Shekullit të XX. Rusia nuk është e njëjta, po ashtu, Kina, India, Pakistani, Irani, Turqia; ndërsa Bashkimi Europian nuk është i njëjti si para largimit të Britanisë së Madhe. Largimi i saj, sipas disa vlerësimeve, ka lënë një boshllëk të atillë në Bashkimin Europian, të barabartë me largimin njëherëshëm të 19 vendeve të mesme dhe të vogla. Merreni vet me mend se çka do të jetë Bashkimi Europian pas largimit të Britanisë së Madhe!

Shtetet e Bashkuara gjenden nën një presidencë ndryshe, në të vërtetë, krejtësisht të ndryshme nga presidencat e mëparëshme, demokrate ose republikane. Presidenti Trump mbetet një lider i paparashikueshëm, kreativ, jo tradicional dhe improvizues. Së pari, ai e ka kuptuar se realiteti global është ndryshe, se në kushtet e reja të zhvillimeve teknologjike dhe ekonomike, avantazhet mund të jenë të përkohëshme; dhe se në thelb, zhvillimet politike janë rezultante të realiteteve ekonomike, dhe se fuqia ushtarake mbetet element i fortë, por jo i vetmi.

Realiteti i ri global nuk e ka ndryshuar akoma formën, por përmbajtja e marrdhënieve ndërkombëtare ka ndryshuar. Fuqitë e mëdha si Kina dhe India janë bërë edhe më të mëdha, ndërsa Rusia dhe Turqia po ekspozojnë ambiciet e tyre në Siri, Irak, dhe Lindje të Mesme. Shtete të tilla, me rëndësi të jashtëzakonshme në politikën globale nuk mund të injorohen. Dhe me sa duket, Presidenti Trump këtë e ka kuptuar më së miri, duke u lënë dorë të lirë në përpjekjen e tyre në Siri.

Në këto rrethana tejet komplekse, është normale, brenda normalitetit të zhvillimeve ndërkombëtare, që Kosova të gjendet para sfidave të reja. Ideja “novative” për shkëmbime territoresh mes Kosovës dhe Serbisë duket se është rrjedhojë direkte e rrethanave të reja globale. Në këtë kuptim, nuk duhet parë si një çudi e madhe nëse kjo ide është artikuluar nga Presidenti Hashim Thaçi, Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç dhe Kryeministri Edi Rama. Në të vërtetë, çudi do të ishte nëse shqiptarët do t’i paranonin këto projekte, duke mos reaguar, duke u lënë dorë të lirë këtyre “negociatorëve krijues” të shesin interesat kombëtare në emër të “paqes” rajonale.

Serbia ka qenë dhe mbetet një mbartëse e interesave të Rusisë dhe Kinës në rajonin e Ballkanit, dhe synon, të përmbushë interesat e saj politike dhe ekonomike nëpërmjet mbështetjes pa rezerva që Rusia dhe Kina i kanë dhënë asaj, historikisht. Marrveshjet e vështira nuk arrihen lehtë, për më tepër, ato mes Kosovës dhe Serbisë, në një mjedis ku përplasen interesat e Shteteve të Bashkuara, Turqisë, Bashkimit Europian, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Kinës. Në një farë kuptimi, Ballkani është akoma pika strategjike prej ku mund të luhet me stabilitetin e Kontinentit të Vjetër.

***
Sivjet priten zhvillime ndërkombëtare për shqiptarët në Ballkan. Kosova mund të gjendet përballë sfidave të tilla si “merre ose lëre”; ose më keq akoma, nën një presion të paprecedentë të tipit “kjo është e vetmja rrugë”.

Kosova gjendet në një situatë të çuditshme, gati të pabesueshme; e sfiduar dhe e sulmuar nga Kryeministri Edi Rama. Është e rrallë ajo që po ndodhë me Kryeministrin e Shqipërisë, por në fakt nuk është aspak e çuditshme se çfarë po ndodh me Edi Ramën si individ.

Me kohë, qysh para 20 viteve dhe në vazhdim, Edi Rama ka qenë një rob i veseve të tij. Projekte të tilla, si projekti “Edi Rama” nuk mund të jenë të rastësishëm. Historia ka treguar se projekte të ngjashme kanë rezultuar efikase për të përmbushur dhe mbrojtur interesat të caktuara. Qartazi, Edi Rama ka në axhendë interesa të tjera, të ndryshme nga interesat kombëtare. Se cilat mund të jenë ato interesa, do të jenë objekt i një teksti tjetër.

Kryeministri Albin Kurti së shpejti do të gjendet nën presion për negociatat me Serbinë. Të shpresojmë se ai do t’i rezistojë kurtheve, duke mos pranuar të negociojë për gjëra të panegociueshme, si sovraniteti dhe tërësia territoriale. Për momentin, Albin Kurti nuk mund të mbështetet nga qeveria shqiptare.