Prokuroria përgënjeshtron policinë: Ngjarja në Shkodër, atentat i planifikuar ndaj një 32-vjeçari, jo një konflikt i çastit

Ngjarja e djeshme në “Parrucë” të Shkodrës, sipas Prokurorisë, ishte një atentat i planifikuar ndaj një 32-vjeçari dhe jo një konflikt i çastit.

Burime nga policia lokale bënë me dije se dy të rinjtë të cilët janë shpallur në kërkim nga policia, i kanë ngritur pritë 32-vjeçarit Taulant Ahmeti.

Këtij të fundit dyshohet se i është bërë pritë dhe sapo ka zbritur nga automjeti në drejtim të tij, i armatosur ka shkuar shtetasi Gledis Ustabeqiri, 23 vjeç i shoqëruar nga Hygert Muçaj, 32 vjeç.

Rreth orës 14:00, Taulant Ahmeti ka parë veten të zënë në kurth dhe ka zbritur nga automjeti, atëherë Gledis Ustabeqiri i ka drejtuar armen. Në këto momente, ka ndërhyre Hygert Muçaj i cili ka qëlluar me shufër hekuri në koke Taulant Ahmetin.

Ustbeqiri ka gjuajtur tre here, por plumbi nuk e ka kapur 32-vjeçarin dhe më pas agresorët janë larguar me mjetin e tyre “Benz ML” me targa AA 250 VH.

Policia pas identifikimit akoma është në kërkim të tyre ndërsa në polici ka shkuar vetëm Taulant Ahmeti i cili ka sqaruar sulmin ndaj tij dhe është lënë i lirë. Ai nuk ka hedhur dritë mbi shkaqet që çuan dy te rinjtë të tentonin ta vrisnin madje në polici ka thënë se nuk ka arritur të identifikoje personat që e kanë qëlluar pasi kanë patur kapele dhe syze.

Ngjarja e regjistruar pason atë të pak ditëve më parë në pedonalen e qytetit, ku një 35-vjeçare kalimtare u plagos nga përplasja e dy grupeve me armë zjarri.