Policia e Kosovës pranon skandalin për gazin lotsjellës kundër protestuesve të opozitës

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se do ta padisë Alma Lamën pasi kjo e fundit ka thënë se Pacolli ka dërguar gaz lotsjellës në Shqipëri në vend të 1 milionë eurove që i kishte premtuar.

“Premtoi se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por dërgoi 500 granata helmi, gazi lotsjellës”, kishte shkruar Lama në profilin e saj në “Facebook”.

Pacolli ka thënë se një deklaratë e tillë është shpifje dhe se për një gënjeshtër të tillë do të përballen në Gjykatë.

“Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë”, ka shkruar Pacolli si kundërpërgjigje për Alma Lamën.

Megjithatë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare lidhur me këtë çështje, ka konfirmuar se është huazuar gaz lotsjellës për policinë shqiptare gjatë vitit të kaluar dhe se një gjë e tillë është bërë me miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, që atë kohë udhëhiqej nga Ekrem Mustafa, si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, që drejtohej nga Behgjet Pacolli.

“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar, informon opinionin publik dhe mediat lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë, që është realizuar në vitin e kaluar.

Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

Nga Policia kanë sqaruar se janë marrë sugjerimet pozitive nga zyrat ligjore të institucioneve relevante.

“Në aspektin ligjor, paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-së dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës.

Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës”, thuhet tutje në sqarim.

Policia tutje sqaron se “Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast, jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”./GazetaExpress/