Paçolli reagon ndaj granatave me gaz lotsjellës që u sollën në Shqipëri kundër protestuesve

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli, ka paralajmëruar padi ndaj ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama.
Ai e ka bërë njoftimin në Facebook ku e quan Lamën gënjeshtare që do i duhet të përgjigjet në gjykatë për shpifjen ndaj tij.

‘Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë’, shkruan Pacolli.

Mbrëmë ish-ambasadorja Lama shkruante se Pacolli kishte premtuar se do jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por ka dërguar 500 granata helmi, gaz lotsjellës.
‘Premtoi se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por, dërgoi 500 granata helmi, gaz lotsjellës’, ka shkruar Lama.

“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar, informon opinionin publik dhe mediat lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë, që është realizuar në vitin e kaluar.

Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

Nga Policia kanë sqaruar se janë marrë sugjerimet pozitive nga zyrat ligjore të institucioneve relevante.

“Në aspektin ligjor, paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-së dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës. Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës”, thuhet tutje në sqarim.

Policia tutje sqaron se “Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast, jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”.