Neymar padit sërish Barcelonën

Mediat spanjolle raportojnë se Neymari e ka paditur ish-klubin e tij, Barcelonën, për herë të tretë në gjyq. Këtë herë, braziliani shpreson se klubi katalonas do t’ia paguajë 6.5 milionë euro, sipas kontratave që e dërguan atë në Barcelonë nga Santosi.

Fakti që Neymari nuk luan më për Barcelonën nuk i ka dhënë fund rrëmujës së krijuar nga transferimi i tij nga Santosi në Barcelonë në vitin 2013. Shtatë vjet pas atij transferimi, ka ende probleme të pazgjidhura.

Pas padisë së fundit të Neymarit, shuma totale që lojtari po ia kërkon ish-klubit të tij e ka arritur shumën prej 38.6 milionë eurosh.

Megjithatë, klubi nuk e ka në plan t’i bëjë këtë pagesë futbollistit brazilian, mirëpo as nuk do ta kundërshtojë atë me një kërkesë të veten për borxh nga ana e brazilianit.

Që kur Neymari është larguar nga Katalonja në vitin 2017, ai rregullisht i ka kërkuar para klubit katalonas, ndërsa edhe vetë Barcelona ia ka kthyer me kërkesat e veta.

Gjatë verës së kaluar ishte arritur një marrëveshje për paqe, pasi që Neymari synonte të kthehej të luante në Camp Nou. Megjithatë, ajo periudhë nuk zgjati shumë dhe tani Neymari e ka ngritur padinë e tretë ndaj klubit.

Ndërkohë, edhe klubi brazilian Santos ia kishte dërguar një letër urgjente Barcelonës gjatë këtij muaji për një ndeshje miqësore që nuk ishte mbajtur pas transferimit të Neymarit. Santos ia ka kërkuar Barcelonës 4.5 milionë euro dëmshpërblim.