Natë e zezë për Turqinë! Kasaphanë me dhjetra ushtarë të vrarë në Siri, vendi në prag të luftës

Ka qenë një natë e gjatë ajo e mbrëmshmja për Turqinë, ndërsa vendi rrezikon të futet në një luftë në shkallë të gjerë në Siri pas vrasjes së një numri të madh ushtarësh mbrëmjen e djeshme.

Autoritetet turke flasin për 33 ushtarë të vrarë mbrëmë nga një sulm ajror nga aviacioni i ushtrisë së Asadit, ndërsa ka raportime se sulmi u bë nga avionët rusë dhe numri i ushtarëve të vrarë është më i madh se 33.

Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë në lidhje me sulmin dhe numrin e saktë të ushtarëve të vrarë. Njoftimet i jep prefekti i një qyteti kufitar me Sirinë, ku edhe u vranë ushtarët, ndërsa ka raportime se gjatë mbrëmjes së djeshme në të gjithë Turqinë ka patur bllokim të futjes në rrjetet sociale.

Autoritetet turke konfirmojnë 33 ushtarë të vrarë, por ka mjaft raportime të tjera, të cilët flasin për 60-70 të tillë duke bërë që të shuhet një brigadë. Megjithatë, kjo nuk është shifër zyrtare.

Presidenti Erdogan mblodhi mbrëmë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe sipas mediave vendase është folur për mundësinë e shpalljes së luftës ndaj Sirisë.

Mediat turke kanë publikuar pamje të sulmeve hakmarrëse të ushtrisë së Turqisë ndaj bazave dhe ushtrisë së Presidentit Asad në Siri duke njoftuar vrasjen e një numri të madh ushtarësh.

Gjatë mëngjesit të sotëm ka reaguar Rusia, e cila paralajmëroi Turqinë duke theksuar se një operacion në shkallë të gjërë do të kishte pasoja të rënda për Ankaranë.

Turqia vendosi mbrëmë të hapë kufijtë për sirianët që duan të futen në BE me qëllim ushtrimin e presionit ndaj Perëndimit për ta mbështetur në Siri.