Naftëtarët mbyllin grevën e urisë, u jepen disa rroga. Triumf apo kurth?!

75

10 grevistët e rafinerisë së Ballshit, kanë ndërprerë përkohësisht grevën e tyre të urisë, pas 11 ditësh, për shkak se kompania u ka kaluar sot 3 prej pagave të prapambetura.

Punonjësit pritet që të rikthehen në Uzinë pasditen e sotme, ku do të diskutojnë me përfaqësuesit e kompanisë për rifillimin e punës në Rafineri, një tjetër kërkesë e tyre kjo.

Gjatë të gjithë këtyre 11 ditëve të grevës së tyre, punonjësit e Ballshit insistonin për kalimin e 5 rrogave të prapambetura, si dhe për furnizimin e Rafinerisë me lëndë të parë.

Vazhdimisht ka pasur negociata mes grevistëve dhe kompanisë për plotësimin e kërkesave, dhe prej mëngjesit të sotëm ka nisur marrja e pagave në bankë.

Nga ana tjetër vijon ende greva e punonjësve të nënstacionit elektrik të Poçemit, të cilët kanë 27 paga të prapambetura, ndërsa qendresa vijon në ditën e 15.

Gjatë këtyre ditëve, naftëtarët janë ndjerë pothuajse të braktisur nga institucionet shtetërore, të cilët nuk kanë mundur që ti japin dot asnjë zgjidhje.

Të dielën që lamë pasë rreth 570 punonjësit e rafinerisë së Ballshit së bashku me familjarët e tyre kanë dalë në rrugët e qytetit, në mënyrë që kauza e tyre të merrte zgjidhje.

Qindra punonjës të rafinerisë së naftës në Ballsh protestuan për ndërprerjen e punës në uzinë. Shkak për këtë është bërë mos furnizimi i uzinës me naftë bruto. Prej 10 ditësh naftëtarët u futën në grevë urive duke i kërkuar qeverisë shlyerjen e pagave për tre muaj dhe rikthimin në punë. Disa nga naftëtarët shfaqën probleme të rënda shëndetësore, por nuk hoqën dorë nga greva. Madje ata paralajmëruan përshkallëzim të protestës për të cilën thanë se pjesë e saj do të ishin gratë dhe vajzat nëse nuk merrnin asnjë zgjidhje nga qeveria.