MSH: Shqipëria nuk ka ende asnjë rast me koronavirus! Telefononi urgjent 127 nëse keni këto shenja

256

Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot se në Shqipëri nuk ka ende asnjë person të infektuar me koronavirus. Zv/ ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli dha një deklaratë për mediat në të cilën tha se “nuk ka asnjë rast të konfirmuar për koronavirusin. Janë testuar 13 raste me histori udhëtimi edhe Italinë, por kanë rezultuar negative.

Nga survejanca e përforcuar që është bërë në pikat kufitare gjatë 24 orëve të kaluara, janë monitoruar 4800 udhëtarë që kanë qenë me histori udhëtimi në vendet ku ka shpërthime komunitare përfshirë këtu edhe Italinë.

Dua t’ju informoj se Ministria e Shëndetësisë, ka vendosur rialokimin e një fondi shtesë prej 1 milionë dollarë për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore.

Ministria siguron se të gjitha strukturat spitalore kanë sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale për këtë fazë në të cilën ndodhemi.

Rekomandojmë edhe njëherë për të gjithë personat që kanë pasur histori udhëtimi në një nga vendet e prekura nga COVOD-19 dhe që shfaqin një nga shenjat e infeksionit viral, temperatura, kolla, rrufa, sidomos vështirësia në frymëmarrje, të njoftojnë menjëherë numrin 127 të Qendrës Kombëtare të Urgjencës për të marrë udhëzimet e duhura se si duhet të veprohet për të eliminuar edhe panikun dhe bërë atë që duhet bërë në këtë situatë, në rrugë të drejtë.

Është e rëndësishme për qytetarët që të jenë të vëmendshëm për higjenën personale,”përfundoi Zv.Ministrja Rakacolli.