Mjeku nxjerr zbuluar propagandën e qeverisë: Nuk kemi karantinë në pikat kufitare për koronavirusin

Frika nga koronavirusi në vendin tonë është rritur ndjeshëm, ndonëse deri më tani zyrtarisht nuk kemi raste të raportuara si të infektuar.

Për shkak të përhapjes me shpejtësi të koronavirusit në Itali, ku janë shënuar 12 viktima dhe numri i të prekurve ka shkuar në mbi 320, situata po shihet me shqetësim edhe nga qytetarët shqiptarë.

Ditën e sotme u raportuan edhe rastet e para me koronavirus në Greqi dhe Maqedoni.

Lidhur me këtë situatë ka folur edhe mjeku Petrit Vargu, i cili theksoi se në vendin tonë mungon transparenca nga ana e institucioneve shtetërore mbi gjendjen dhe mbizotëron terri informativ.

Vargu thotë se është e dukshme se në pikat kufitare mungojnë karantinat për të dyshuarit me koronavirus.

Ai tha se karantinet duhet të ngrihen larg qendrave të banuara. “Kjo përhapet me shpejtësi shumë të madhe dhe me 2.3 përqind shkakton vdekjen. Kjo futet tek një sëmundje e rrezikshme, sepse nuk ka ende një ilaç. Në vendin tonë, ashtu siç e shikoni jemi nën trysninë e deklarateve të cilat të bëjnë që mos të vlerësosh situatën. Mendoj se transparenca mungon.

Në këto kushte askush nuk mund të gjykoj dot për kapacitet dhe thënë kjo nuk mund të japim asnjë logjikë, sepse kemi një terr informativ. Gjithë populli duhet të jetë në alarm sepse e gjithë Europa është në alarm. Mënyra sesi këto e kanë menduar, është e dukshme se karantinë nëpër pikat kufitare shqiptare nuk ka.

Nga të gjitha anët të kthejme kokën, kemi shtete që janë infektuar. Këtu karantina nuk do të ngrihet kurrë, mënyra sesi ne e kemi ndërtuar nuk mundet. Këtu ka një gjë se këtu mund të kenë individualizuar spitalet për të shtruar pacientët në rastine e kësaj sëmundjes, por karantina duhet të ngrihet jashtë qendrave të banuara.

Në mënyrë absolute duhet të merreshin masat. Kontrolli i masave që po bën Italia, do të duket pas 20 ditësh, nëse ky numër do të vijë duke u ulur, ateherë masat kanë qenë efikase”, u shpreh mjeku Vargu.