Marrëveshja e fshehtë e Thaçit për të mos hyrë FSK-ja në veri të Kosovës, garancinë ia kishte kërkuar Serbia

“Atë ditë nuk ishte një marrëveshje në Bruksel, por ishin dy: Njëra nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç dhe tjetra që ishte zotim i njëanshëm i Thaçit, tha dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para mediave, duke ngritur dyshimin pse kishte premtuar Thaçi, Kryeministër në 2013, që të mos lejonte FSK të hynte në veri të Kosovës. Kush ia kishte kërkuar atë gjë dhe pse Thaçi e kishte fshehur më pas atë marrëveshje?!

Për këto dyshime, Kurti i ka kërkuar prokurorisë të zbulohent i gjithë misteri i Thaçit, ndërkohë që mediat kosovare zbulojnë sot se kishte qenë Beogradi që ia kishte kërkuar Hashim Thaçit të mos e dërgonte FSK në veri të Kosovës dhe se ai e kishte premtuar atë tek NATO dhe e kishte mbajtur të fshehtë.

Ja ç’shkruan sot Koha Ditore:

“Para selisë së Shërbimit të Jashtëm të BE-së në Bruksel një grup gazetarësh ishim në pritje të bërjes publike të asaj që na kishin lajmëruar jozyrtarisht se është arritur marrëveshja e parë historike mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq. Por ndërkohë na erdhi një lajm se duhet pritur, sepse delegacioni i Beogradit kishte kërkuar që së pari të konsultoheshin me NATO-n.

Kishin kërkuar që të merrnin garanci nga NATO-ja. Në fillim nuk na tregonin se çfarë garancie kërkonte Beogradi nga NATO-ja. Ishte madje një gjë që shkaktoi befasi të madhe mes diplomatëve perëndimorë. Sepse NATO-ja ishte organizata më negative për Serbinë, sidomos për dy persona kyç, që ishin atë ditë në Bruksel për t’u marrë vesh me “delegacionin e Prishtinës”, siç e quanin edhe ata, edhe BE-ja, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ivica Daçiq, në atë kohë kryeministër, dhe Aleksandar Vuçiq, zëvendëskryeministër, por që atëherë njeriu më i fuqishëm në Serbi, shkuan në selinë e NATO-s. Në të njëjtën kohë thuhej se edhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, po ashtu kishin shkuar në NATO. Në këtë mënyrë, pa pritur, u bë e ditur se edhe NATO-ja do të ketë hise në zbatimin e “disa pjesëve të Marrëveshjes së Brukselit”.

Më vonë u kuptua se Beogradi kishte kërkuar nga NATO-ja që njësitë e Forcave të Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri. Ishin arsyetuar se “kjo do ta shqetësonte popullatën lokale”. NATO-ja thuhet t’u kishte dhënë garanci gojore se do të shqyrtohej kërkesa e tyre”.