Lleshaj largon përgjegjësinë nga vetja: Nuk e dëbova unë shtetasin turk, por drejtori…

Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm, tha sot në Kuvend se shtetasin turk Harun Çelik, i dëbuar nga Shqipëria drejt Turqisë më datën 1 janar, nuk e kishte bërë ai, por drejtori i Emigracionit dhe Kufirit.

Në këtë mënyrë Lleshaj ka larguar çdo përgjegjësi nga një prej çështjeve që shkaktoi shumë debate dhe reagime për mënyrën sesi u veprua dhe u vendos dëbimi i mësuesit turk, i akuzuar nga autoritetet në Turqi si përkrahës i Gylen.

Madje Lleshaj sugjeroi që për çështjen në fjalë më mirë të ishte kërkuar një hetim administrativ ose penal, nëse kishte apo jo shkelje ligjore në procedura, sesa trajtimit politik të saj.

“Më mirë të ezauroheshin hapa të tjere ligjorë se kemi të bëjmë me një proces administrativ, të kishit kërkuar një hetim administrativ, para se të kërkonit që cështja të marrë dimension politik në Kuvend. Ose nëse kemi pasur shkelje penale mund të inicionit hetim penal.

Vendimi për dëbimin e të huajve s’merret nga ministri i Brendshëm, vendimet e dëbimit janë administrative që merren nga institucionet përkatëse. Në rastin konkret përgjegjës janë drejtoritë vendore të policisë së kufirit e migracionit”, tha Lleshaj.

Në vijim ai tha se ka dy rrugë për dëbimin; ose largim vullnetar ose i detyruar
“Me detyrim janë larguar 45 qytetarë të huaj. Ka me mijëra qytetarë shqiptarë që dëbohen nga vendet e BE drejt Shqipërisë për të njëjtat arsye”, tha ai.