Lleshaj gënjeu për gazin helmues/ Lubonja: Është bashkëpunimi i atyre që abuzojnë dhe vjedhin…

Dy ditë më parë në mediat e Kosovës doli lajmi se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri dhe këtë e kishte bërë me presion të presion të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Insajderi zbuloi se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.

Analisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja thotë se, ky lajm i ka lënë shije të keqe – madje e shpjegon me këtë arsyetim.

“Në këtë çështje ka një komponent ligjore, por ka edhe një komponent të fortë moral dhe kur them moral edhe politik pasi, sikurse thotë Rusoi, kush ndan moralin nga politika nuk kupton asgjë nga të dyja. Është ndjenja morale që në përgjithësi na bën të dënojmë ata vende që shesin armë, që përdoren në vende ku ka luftë e vriten njerëz, edhe kur ligjërisht mund të mos kenë kryer ndonjë krim”.

“Ministria e Prishtinës mjaftohet duke thënë se, nuk ka shkelur ndonjë ligj. Kështu thotë edhe ajo Tiranës. Po a mjafton kaq për të qenë në rregull moralisht dhe politikisht? Jo. Moralisht dhe politikisht Kosova duhet të ishte vendi i fundit ku qeveria e Tiranës do të duhej të drejtohej për të marrë armë për të helmuar popullin e opozitës shqiptare. Për të njëjtat arsye pala kosovare do të duhej të ishte e fundit që ta pranonte një kërkesë të tillë”, ka thënë Lubonja për Insajderin.

“Dy ministritë pretendojnë se kanë një marrëveshje bashkëpunimi. Në fakt këtu kemi bashkëpunimin e dy pushteteve antipopull, anti demokraci që synojnë të mbështesin dhe legjitimojnë njëri-tjetrin. Është bashkëpunimi i atyre që abuzojnë e vjedhin kundër të abuzuarve dhe të vjedhurve. Pra një akt i tillë, mund të afrojë një kategori politikanësh, por midis shqiptarëve këtej dhe andej kufirit nxit ndarje”.