Lajm i mirë për Sarrin dhe Juventusin

Në prag të turit të forcës, me ndeshje mes kampionatit, Kupës së Italisë dhe Ligës së Kampionëve, Maurizio Sarri mund të buzëqeshë, pasi infermieria e Juventusit është zbrazur tërësisht dhe të gjithë lojtarët janë në dispozicion të trajnerit.

Kështu që në fundjavë ndaj Spalit, do të jenë gati për të luajtur edhe dy të fundit që kishin mbetur, Federico Bernardeschi dhe Sami Khedira, që kanë nisur të stërviten plotësisht me skuadrën, ndërsa pushim mund të lihet vetëm Miralem Pjaniç.

Edhe mesfushori boshnjak është stërvitur normalisht me skuadrën, por Sarri nuk ka ndërmend ta rrezikojë, duke qenë se e pret një kalendar i ngjeshur me dopio sfidën ndaj Lyonit, përballjen me Interin në kampionat dhe atë me Milanin në Kupën e Italisë.

Aktualisht i vetmi lojtar te i cili Sarri nuk mund të bazohet është braziliani Douglas Costa, që ka rinisur stërvitjen me skuadrën, por vetëm në seanca të pjesshme, ndërsa rikthimi i tij në fushë pritet në ndeshjen me Interin ose takimin e kthimit me Lyonin.

Kujtojmë që në fundjavë ndaj Brescias u rikthye në fushën e lojës edhe kapiteni Giorgio Chiellini, që luajti 15 minuta ndaj “Dallëndysheve”, duke qenë se vinte nga një dëmtim thuajse 6-mujor, ndërsa tani pritet të jetë gati për të nisur nga fillimi.