Kush është Rita Augestad Knudsen? Bashkëshortja e kryeministrit Kurti, për të cilën dihet pak

Kuvendi i Kosovës ka votuar më 3 shkurt 2020 Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tashmë është zyrtarisht kryeministri i ri i vendit.

Kryeministri aktual i Kosovës është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës, gjersa ka qenë pjesë aktive e politikës kosovare që nga vitet e para-luftës.

Duke preferuar të qëndrojë gjithnjë i hapur vetëm për jetën profesionale, pak është ditur gjithmonë për jetën private të tij.

Albin Kurti është i martuar që prej vitit 2014 me Rita Augestad Knudsen. Ceremonia e kurorëzimit të tyre ishte zhvilluar në sallën e Komunës së Prishtinës. Çifti janë prindër të një vajze.

Teksa të rralla kanë qenë paraqitjet e tij me bashkëshorten, interesim të madh te qytetarët dhe përkrahësit e tij ka zgjuar bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen, për të cilën dihet pak.
Ajo tani më gëzon epitetin e gruas kryeministrore – në atë që njihet si “Proti Kyria”, një term ky që shtypi i referohet bashkëshortes së kryeministrit të një vendi.

Por kush është Rita Augestad Knudsen?
Rita Augestad Knudsen është norvegjeze, me profesion një Studiuese e Lartë në NUPI (Norwegian Institute of International Affairs) dhe pjesë e Grupit Kërkimor për Siguri dhe Mbrojtje, dhe ajo punon veçanërisht kundër-terrorizmin dhe anti-radikalizimin, transmeton Telegrafi.

Ajo është drejtoreshë menaxhuese e Konsorciumit për Kërkime mbi Terrorizmin dhe Krimin Ndërkombëtar, dhe e lidhur me C-REX (Qendra për Kërkime mbi Ekstremizmin në Universitetin e Oslos, në Norvegji).

Specializimi kryesor i Ritës është mbi terrorizmin, ekstremizmin dhe vlerësimin e rrezikut të lidhur me radikalizmin, konceptin e ‘radikalizmit’, kundër-terrorizmin në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe historinë e vetëvendosjes në politikën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar, përveç Ballkanit e sidomos të Kosovës.

Publikimet e saj përfshijnë analizat e bashkëpunimit ndërkombëtar të sigurisë për sanksionet dhe ndërtimin ndërkombëtar të shtetit, dhe doktorata e saj në histori ndërkombëtare/histori intelektuale nga Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencës Politike në Londër ishte mbi “vetëvendosjen” dhe lirinë në ligjërimin ndërkombëtar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se me bashkëshorten e tij, Ritën, flet në gjuhën angleze, teksa vajza e tyre zotëron tri gjuhë: atë shqipe, angleze dhe norvegjeze.
Familja Kurti ndajnë një jetë mes dy shteteve, Kosovës dhe Norvegjisë.