Kurti heq taksën dhe paralajmëron Serbinë: Ka tre muaj afat, në të kundërt…

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka prezantuar vendimin se nga data 15 mars 2020, do të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Kjo, siç bëri të ditur ai, si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

Në paraqitjen e tij para gazetarëve, kryeministri Kurti ka ftuar Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë, e sidomos me prodhuesit tanë, dhe pas leximit të analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, e punuar kjo nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kam ardhur te ky qëndrim sa i përket rrugës përpara lidhur me tarifën 100%:

E para, si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.

Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të nis me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.
Këtu bashkë me mua janë edhe disa nga prodhuesit tanë, me të cilët kam pasur takim para se të vij këtu, në kuadër të këtyre javëve të fundit kur i kam intensifikuar kontaktet, komunikimin, takimet e bashkëpunimin me prodhuesit vendorë.
Nishani për fundin e “zonjës së zezë”: : Kur krimet dhe kriminelët nuk ndëshkohen e keqja lind sërish

Një nga lajmet e diskursit publik të këtyre ditëve ishte edhe vdekja e vejushës së Diktatorit, “zonjës së zezë”, Nexhmije Hoxhës.
Megjithëse Shqipëria është e zhytur në një kaos total, që pas atij të rënies së firmave piramidale dhe revanshit stalinist të 1997-ës, ku sfidat dhe çështjet fondamentale janë varfëria ekonomike që po thellohet, kapja e shtetit nga krimi i organizuar, asgjesimi i demokracisë (dhe ashtu hibride siç ishte), kontrolli i politikës vendimarrëse prej botës së krimit, rënia dramatike e sigurisë së qytetarëve dhe kontrolli i qyteteve dhe fshatrave nga krimi ordiner i hajdutëve dhe grabitësve, vrasjet dhe rrëmbimet mafioze, korrupsioni skandaloz i vjedhjeve masive prej pushtetarëve të të gjitha niveleve të parave të shqiptarëve, qytetarëve më të varfër në Evropë, shkatërrimi i resurseve ekonomike të vendit në interes të xhepit personal të oligarkëve të korruptuar, degradimit total të arsimimit, helmimi i ambientit, betonizimi dhe shkatërrimi i territorit, tradhtia e lartë kombëtare, asgjesimi total i drejtësisë, largimi masiv i pashpresë i shqiptarëve, etj.,- përsëri vdekja e zonjës së zezë mori hapësirë të madhe diskutimi.
Kjo ishte e pritshme dhe normale në kuptimin e hapësirës së diskutimit që do të merrte.

Së pari, për vetë dimensionin makabër të krimeve monstruoze të kryera nga regjimi diktatorial mbi shqiptarët për gati 50 vite, ku vejusha e diktatorit ishte një prej autorëve kryesore, që nga pushkatimet, burgosjet, interrnimet, izolimin e popullit, varfërinë ekstreme, konfiskimin e pronave, shtëpive, pasurive, hedhjen ne erë të kishave e xhamive, deri tek makabritete të padëgjuara në diktaturat e tjera, thithjen e gjakut të foshnjave të porsalindura, sipas raportimit në media për transfuzionin e gjakut të diktatorit.
Së dyti, sepse modeli dhe morali i saj ishin në korelacion të plotë me të gjitha ato sfida të përmendura më lart si produkte të rilindsave të bllokut stalinist.

Në këtë diskurs, u prezantuan tre reagime.
I pari, që nuk meriton asnjë kushtim, ai i nostalgjikëve të mbetur të diktaturës që në fakt kanë qenë mjetet dhe veglat zbatuese të krimeve. Ata vijuan të glorifikonin “shërbimet ndaj popullit, atdheut dhe komunizmit prej vejushës dhe modelit të saj.
I dyti, me të cilin nuk pajtohem dhe duhet denoncuar si kriptonostalgjik, me qëndrimin se “vejusha e zezë iku pa u “penduar” për krimet e bëra”!!!

Po si mund të pendohet një kriminele e atyre përmasave, kur çdo krim e kishte të planifikuar politikisht, të llogaritur në përfitim, të paracaktuar në protokoll, të shijuar në koshiencë?! Si mundet të pendohet një kriminele e cila ishte pjesë e ekzekutimeve të elitës së vendit me akuzat false për bashkëpunim me fashizmin kur vetë e nisi karrierën politike si një anëtare e partisë fashiste e mandej kapërceu tek simotra e fashistes, Partia Komuniste?!

Qëndrimi i tretë, me të cilin pajtohem plotësisht e që duhet mbajtur deri në fund, kryesisht e prezantuar nga më të persekutuarit e diktaturës, ish-të përndjekurit politik, se zonja e zezë u largua përfundimisht pa dhënë llogari para ligjit për krimet e kryera.
Përveçse ky fakt është një dështim për të gjithë shoqërinë tonë, ky duhet të jetë një mësim i hidhur me atë që përbën korelacionin e krimeve të saja me ato që shënuam më lart si krimet e rilindsve në shekullin e 21-të.

Historia që pranohet nga të gjithë si mësuesi më i mirë dhe prova më kokëforte, na tregoi edhe këtë herë se kur krimet nuk ndëshkohen, kur kriminelët mbartës të tyre nuk mbahen përgjegjës, kur modelet dhe monstrat e së keqes nuk shkatërrohen, e keqja, e liga, shkatërrimi, degradimi rilind përsëri.
Kjo ishte fabula më domethënëse e fundit mortor të vejushës së zezë.