“Kukull”, Pike reagon ndaj gazetarit që mbrojti presidentin e Barcelonës

Në mes të një tjetër skandali në Barcelonë, qendërmbrojtësi Gerard Pique ka shtuar spekulimet për një krizë brenda klubit duke iu përgjigjur një gazetari në Twitter, i cili i doli në ndihmë presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeut.

Marcal Llorente, gazetar i Mundo Deportivos, e postoi një “tweet” për ta bërë të ditur mendimin e vet rreth lajmit se Barcelona e ka paguar një kompani për ta dëmtuar imazhin e personave si Lionel Messi, Gerard Pique, Pep Guardiola e Xavi Hernandez.

“I njoh veçantitë ambientin dhe ambientin e Barcelonës për shumë vite dhe fatmirësisht ata po bëhen gjithnjë e më pak të manipulueshëm e gjithnjë e më inteligjent”, shkroi Llorente.

“Ata e dinë në mënyrë të përsosur se kë dëshiron ta përdorë Barcelona për interesat e veta mediatike, politike dhe ekonomike”.

Ky postim i gazetarit të Mundo Deportivos e provokoi një reagim nga qendërmbrojtësi i Barcelonës, Pique.

“Kukull”, i shkroi Pique Lorrentes.

Gjatë ditës së marte, Bartomeu u takua me lojtarët për ta diskutuar skandalin e fundit në fund dhe, siç lihet të kuptohet nga postimi i tij, Pique nuk u bind nga gjërat që ai ua tha lojtarëve.

Cadena SER raportoi dje se kompania me të cilën Barcelona kishte marrëveshje, I3Ventures, e kishte për detyrë t’i promovonte disa drejtorë të caktuar të klubit, ndërsa t’ua prishë reputacionin disa individëve të tjerë të lidhur me klubin.

Marrëveshja mes Barcelonës dhe E3Ventures ishte nënshkruar para tre vjetëve për një shumë të ulët parash, pasi që një pagesë më të madhe do të duhej të ishte marrë edhe aprovimi i aksionarëve në klub.

Kompania raportohet se duhej të krijonte llogari të rreme nëpër rrjete sociale dhe pastaj të publikonte mesazhe për ta lavdëruar punën e drejtuesve të klubit, ndërsa t’i kritikonte veprimet e disa personave të afërt me klubin, si Lionel Messi, Gerard Pique, Pep Guardiola, Cavi e Victor Font.

Drejtuesit e Barcelonës e kanë pranuar se kanë pasur marrëveshje me kompaninë në fjalë, mirëpo e kanë mohuar se kompania ka ndonjë lidhje me llogaritë në rrjete sociale për të cilat raportohej.

Megjithatë, Cadena SER e ka publikuar një dokument që dëshmon se I3Ventures ishin prapa llogarive jozyrtare që shpërndanin informacione në tentim për të krijuar një imazh më negativ të disa ish-lojtarëve dhe lojtarëve aktuale, ish-trajnerëve dhe ish-presidentëve.

Në të njëjtën kohë, dokumentet e Cadena SER dëshmojë se të njëjtat llogari u përdorën për të shpërndarë informacione për ta promovuar punën e bërë nga presidenti Josep Maria Bartomeu dhe drejtuesit e tjerë të Barcelonës.

Gjashtë llogaritë në Facebook që menaxhoheshin nga I3Ventures janë: Més que un club (66,000 ndjekës), Respeto y Deporte (56,000), Alter Sports (27,000), Sport Leaks (21,000), Justicia y Diálogo en el Deporte (8,500) dhe Jaume, un film de terror (5,000).

Dokumenti 36-faqësh i publikuar nga Cadena Ser është i krijuar nga vetë kompania I3Ventures, e cila dërgonte raporte të tilla te drejtuesit e Barcelonës në mënyrë periodike. Në këtë dokument përfshihen informata që do t’i dinin vetëm administratorët e atyre llogarive.