KQZ i heq mandatin këshilltarit të PS, fshehu dy dënime në Zvicër

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka hequr mandatin anëtarit të Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Kamzës, Mirush Dema (Troci).

Ishte Prokuroria e Përgjithshme e cila dy ditë më parë i kërkoi KQZ heqjen e mandatit për Mirush Demën (Troci), pasi ka fsheshur dy dënime në Zvicër.

Ndonëse 28-vjeçari ka deklaruar një ndalim për verifikim në Gjenevë, dhe dëbim në Suedi e në vendet e BE-së deri në tetor 2019 rezulton të ketë fshehur krime më të rënda.

Dema, në dhjetor të vitit 2014 i ka ofruar një polici në Zvicër t’i shiste 4 pako me heroinë, pa e ditur se ai ishte i infiltruar. Po në Gjenevë, Dema është dënuar dhe për dhunim banese, pasi ka hyrë pa leje në një bodrum.

Ky nuk është socialisti i vetëm që rezulton i dënuar më parë, pasi deri më tani i janë hequr mandatet kryebashkiakëve të Shkodrës dhe Kamzës, Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku.

Ndërkohë, opozita ka ngritur akuza se kanë qenë të dënuar më parë dhe e kanë fshehur në formularin e dekriminalizimit edhe Mark Babani i Vaut të Dejës dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.