Kosova 12 vjet shtet, 10 fakte që nuk i dini rreth kësaj dite të shënuar

Me ngritje të flamurit ka nisur ceremonia e shënimit të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Shefi i Qeverisë, Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, Komandanti i FSK-së, ministra e zëvendësministra.

Ngritja e flamurit u bë nga Garda ceremoniale nën intonimin e himnit nga bendi i FSK-së. Ngjashëm me përvjetorët e kaluar, edhe sivjet, Kosova feston si vendi më i izoluar në kontinentin e vjetër, pa pasur qartësi rreth liberalizimit të vizave.

Republika e Kosovës sot shënon 12-vjetorin e Pavarësisë të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008 dhe të njohur nga 116 shtete.

Kosova do të shënojë këtë përvjetor të pavarësisë me një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Institucionet shtetërore kanë paraparë disa aktivitete për shënimin e kësaj dite, duke filluar me ngritjen e flamurit nga dy udhëheqësit shtetërorë, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Kurti e Osmani me pas do të vendosin kurora lulesh te kompleksi memorial Adem Jashari, të varri i ish-presidentit Rugova dhe të varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Me pas do të mbahet një seancë solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës nën kujdesin e kryeparlamentares Vjosa Osmani. Të pranishëm në seancë do te jenë edhe kryeministri Kurti, përfaqësues të Familjes Jashari, familjes Rugova, deputetë të këtij legjislacioni dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendorë.

Gjithashtu Kurti e Osmani do të vizitojnë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës ku edhe do të iu drejtohen trupave të FSK-së me fjalë përshëndetëse. Po ashtu në nder të Pavarësisë se Kosovës edhe Komunat do të organizojnë seancë solemne si dhe do të bëjnë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.

Përvjetori më shumë pritje: Viza, njohje, punësim, BE e NATO..
Kosova po shënon një tjetër përvjetor të pavarësisë së saj, pa e përmbyllur ende dialogun me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve si dy shtete sovrane.

Edhe pas 12 vjetëve të shpalljes së pavarësisë, arritja e kësaj marrëveshjeje, po shihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, si thelbësore drejt tejkalimit të barrierave që ka Kosova për rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ecur tutje drejt anëtarësimit një ditë edhe në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO.

Shënimi i 12-vjetorit të pavarësisë, nga aspekti i brendshëm politik, Kosovën e gjen me një rotacion qeverisës si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, 2019, kur edhe ndodhi ndryshimi politik i forcave që dikur ishin në opozitë dhe tani janë në pushtet.

Me Albin Kurtin në krye të qeverisë së koalicionit që u arrit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, votuesit që ia besuan atij (Kurtit) votën presin ndryshimin, sikurse edhe komuniteti ndërkombëtar që mbetet kureshtar nëse në Kosovë ka tani një lider që do t’i çojë proceset përpara.

Përderisa qeveria e re e Kurtit nuk e ka mbushur as një muaj të punës, gjithçka mbetet në suaza të pritjeve, analizave e supozimeve. Ngjashëm me përvjetorët e kaluar, edhe sivjet Kosova feston si vendi më i izoluar në kontinentin e vjetër, pa pasur një qartësi rreth liberalizimit të vizave, një proces që lidershipi dhe qytetarët e Kosovës po e presin të ndodhë që nga viti 2010.

Njëherësh, edhe procesi integrues i Kosovës në BE mbetet i sfiduar seriozisht nga fakti se ende janë pesë shtete anëtare të këtij unioni që nuk e njohin atë si shtet.

Që nga shënimi i jubileut të parë të pavarësisë, dy vjet më parë, Kosova numëronte 116 njohje, kurse në 11-vjetorin e saj e aq më pak në 12-vjetorin e sivjetmë të pavarësisë, askush nga institucionet nuk mund ta konfirmojë më saktë.

Ekonomi me pak zhvillime
Përgjatë dymbëdhjetë vjetëve të pavarësisë, rritja ekonomike në Kosovë mesatarisht ka qenë rreth 4 për qind, e cila vlerësohet si e pamjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët.

Papunësia dhe varfëria, janë dy nga problemet më të mëdha me të cilat po përcillet Kosovën gjatë këtyre viteve.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë, gjatë vitit 2019, ishte 29.6 për qind. Nga mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës, të cilët llogaritet se kanë moshën për punë, të punësuar janë rreth 350 mijë qytetarë. Ndërkaq, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kosova kishte filluar vitin e pavarësisë, më 2008, me një rritje ekonomike prej mbi 5 për qind, por më pas, këtë shkallë të rritjes ekonomike nuk e kishte arritur më.

Rritja ekonomike në Kosovë, sipas raporteve vjetore të BQK-së, kryesisht është gjeneruar nga rritja e konsumit privat dhe investimeve publike.

Investimet e huaja direkte, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kanë shënuar rënie viteve të fundit. Derisa në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, këto investimet ishin në vlerë prej mbi 350 milionë euro, në vitet e fundit këto investime nuk arrijnë në vlerën prej 300 milionë euro.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë kishte filluar në vitin 2003. Procesi i privatizimit çdo herë është pasuar me kritika, sidomos mënyra e privatizimit me metodën e spin-off-it special, mënyrë kjo me të cilën janë privatizuar, konkretisht ndërmarrjet që janë vlerësuar më të mëdha, të cilat nuk është dashur ta ndërrojnë destinimin.

Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka bërë shitjen e rreth 2000 aseteve dhe ka të grumbulluara në fond e privatizimit nga shitja e këtyre e aseteve rreth 750 milionë euro.

Faktet interesante që lidhen me 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Sot Kosova feston 12-vjetorin e pavarësisë të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe të njohur nga 116 shtete.

Kosova do të shënojë këtë përvjetor me një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje. Për përvjetorin e 12-të do të organizohen shumë aktivitete të planifikuara në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës.

Më poshtë 10 fakte rreth kësaj dite të shënuar për shqiptarët e Kosovës.
1) Pavarësia e Kosovës u shpall më datën 17 Shkurt 2008, në orën 15:39 minuta
2) Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi

3) Të parët që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
4) Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

5) Pergamena e vjetër 200-vjeçare në të cilën është nënshkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
6) Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

7) Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e Pavarësisë!
8) Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.
9) Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

10) Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Europën.