Koronavirusi, The Economist: Shqipëria nën mesataren botërore për kapacitetet shëndetësore

Indeksi i shëndetit 2019: Shqipëria renditet e 39 në botë, nën mesataren botërore; më dobët kapacitet në spitale dhe qendra shëndetësore…

Në një kohë kur shëndeti botëror po rrezikohet nga përhapja e Koronavirusit, shtetet po bëjnë përpjekje për të marrë masa për frenimin e kësaj epidemie. Por sa të përgatitur janë shtetet për të përballuar një pandemi?

The Economist ka publikuar Indeksin Botëror të Sigurisë në Shëndet. Shqipëria ka shënuar 52.9 pikë, duke u renditur në vendin e 39-të nga 195 ekonomi të marra në shqyrtim. Për të përcaktuar Indeksin e Sigurisë në Shëndet pikët dhe renditja bazohet në gjashtë kategori kryesore: Parandalim, Evidentim të sëmundjes, Përgjigje, Shëndet, Ligje, dhe Rrezik.

Më dobët në shëndet
Shqipëria, pikët më të ulëta i ka shënuar në kategorinë e shëndetit, me një total prej 35.9 pikë nga 59 që është mesatarja botërore për këtë kategori.

Në kategorinë e shëndetit hartuesit e indeksit kanë vlerësuar indikatorë si kapaciteti i klinikave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore, e cila ka shënuar ndër pikët më të ulëta (10.8 nga 100) duke u renditur kështu e 128 në botë nga 195 vende. Po ashtu ka marrë zero pikë për indikatorin mbi praktikat e kontrollit të infeksioneve dhe të disponueshmërisë së mjeteve.

Evidentimi i sëmundjes, dobët me laboratorët
Pikët më të larta Shqipëria i ka shënuar në kategorinë e evidentimit të sëmundjeve, me 74.4 pikë, ndërkohë që mesatarja botërore është 25.

Për të përcaktuar pikët për evidentimin e sëmundjeve hartuesit janë bazuar në katër indikatorë, por pikët më të ulëta janë shënuar në sistemin e laboratorëve ku Shqipëria renditet e 87 nga 195 vende me 58.3 pikë nga 100 të mundshme. Po ashtu ka shënuar pikë të ulëta në indikatorin e vëzhgimit dhe raportimit në kohë reale, me 45 nga 100 pikë, apo e renditur në vendin e 75.

Por nga ana tjetër Shqipëria ka shënuar pikët më të larta për forcën punëtore për situatat epidemike, si dhe integrimin e të dhënave në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë,, ku renditet në vendin e parë.

Kategoria e rrezikut, dobët infrastruktura e përshtatshme
Edhe pse është një ndër kategoritë ku ka shënuar pikët më të larta, krahasuar me mesataren botërore, Shqipëria ka arritur vetëm 55.7 pikë nga 100 që është mesatarja e përgjithshme.

Pikët më të ulëta janë shënuar për indikatorin e infrastrukturës së përshtatshme në shëndetësi, ku janë shënuar vetëm 33.3 pikë nga 100 të mundshme, duke u renditur kështu në vendin e 124. Po ashtu pikë të ulëta janë shënuar edhe në indikatorin e rreziqeve të mjedisit, ku Shqipëria është vlerësuar me 50.4 pikë nga 100 të mundshme duke u renditur kështu në vendin e 119.

Edhe për rreziqet e lidhura me sigurinë dhe politikat e ndërmarra Shqipëria pozicionohet në vendin e 88-të, me një total pikësh prej 64.3.

Ligjet, më dobët në financim
Për sa i përket kategorisë së ligjeve, Shqipëria ka shënuar 53 pikë, ndërsa mesatarja botërore për këtë 65. Pikë të ulëta për këtë kategori i ka shënuar në indikatorin e financimit, ku Shqipëria renditet e 108 me 33.3 pikë në total.

Po ashtu pikët kanë qenë të ulëta për sa i përket angazhimit ndërkombëtar të Shqipërisë me 46.9 pikë, e renditur në vendin e 81. Për këtë kategori pikët më të larta janë shënuar për indikatorin që i referohet marrëveshjeve ndërkufitare në përgjigje të emergjencave të shëndetit publik, ku Shqipëria renditet në vendin e parë në botë dhe është vlerësuar me 100 pikët e mundshme.

Përgjigje ndaj emergjencave, pika e fortë kufizimet e udhëtimeve dhe tregtisë
Një tjetër kategori e rëndësishme është edhe përgjigja ndaj krizave të tilla shëndetësore. Shqipëria ka shënuar 52 pikë nga 100 të mundshme, por mesatarja e përgjithshme botërore është shumë më e ulët, me rreth 34 pikë.

Për sa i përket kësaj kategorie, indikatori i kufizimit të udhëtimeve dhe tregtisë ka shënuar pikët më të larta të mundshme, ku Shqipëria vlerësohet me 100 pikët e mundshme duke u renditur në vendin e parë. Po ashtu edhe nëpër sa i përket indikatorit të rrezikut në komunikim, ku Shqipëria ka shënuar po 100 pikë.

Ndërsa më dobët është vlerësuar indikatori që lidhet me aksesin në komunikim, duke u renditur në vendin 86.

Parandalimi, më dobët se mesatarja botërore
Parandalimi i sëmundjeve është shumë i rëndësishëm për të frenuar përhapjen e sëmundjeve. Në total Shqipëria ka shënuar në këtë kategori 43.8 pikë nga 57 pikë që është mesatarja botërore për këtë kategori.

Për përcaktimin e këtyre kategorive janë vlerësuar 6 indikatorë, ku përfshihet rezistenca antimikrobike, sëmundjet e kafshëve, siguria bio, imuniteti dhe përdorimi i dyanshëm dhe i përgjegjshëm i shkencës.