Koronavirusi, 3 të vdekur të tjerë në Itali, 650 të infektuar

Numri i personave të prekur nga koronavirusi ka mbërritur në 650 pasditen e kësaj të enjte. Tre persona kanë humbur jetën në Lombardi, të gjithë në moshë të thyer, rreth 80-vjeç. Raportimi i fundit është bërë nga kreu i Mbrojtjes Civile në Itali, Angelo Borrelli i cili tha se në total numri i viktimave është 17.

Sakaq Le Marke dhe Pulia janë dy rajonet ku janë regjistruar rastet e reja. Nuk është zbuluar asnjë epiqendër, në një kohë që ministri italian i shëndetësisë Roberto Speranca deklaroi se dy vatrat që fillimisht dukeshin larg njëra tjetrës, më pas rezultuan të lidhura.

Janë shtatë fëmijët e prekur nga virusi, gjashtë në Lombardi dhe një në Veneto por ka dhe lajme të mira si për shembull pacientët e parë të shëruar në vend, ndërsa në Piaçenca një grua e prekur nga virusi ka sjellë në jetë një fëmijë të shëmdetshëm. Prokurori në Lodi ka nisur hetimet për të verifikuar se si është përhapur virusi duke i dhënë dritën jeshile inspektimeve në spitalet e zonës.

Pacientët e shtruar në spitale janë 128 me 36 prej tyre në terapi intensive ndërsa 221 gjenden në izolim në shtëpinë e tyre. /abcnews.al