Kopshtet dhe çerdhet, KLSH: Bashkia u merr prindërve para për ujë dhe mjete didaktike

Prindërit që kanë fëmijët të regjistruar në kopshte apo çerdhe publike përballen me pagesa të fshehta përveç tarifë zyrtare ditore. Një auditim performance i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi efektivitetin e çerdheve dhe kopshteve është fokusuar në dy bashki, atë të Tiranës dhe Vlorës ku ka nxjerrë edhe konkluzionet.

Kështu me shqetësim është parë transparenca e detyrimeve që lidhen me tarifimin e kostot e çdo prindi në çerdhe dhe kopshte. KLSH parashtron se tarifa për frekuentimin në çerdhe dhe kopshte përcaktohet me Vendim të Këshillit Bashkiak dhe në këtë vendim përcaktohet se kjo tarifë mbulon ushqimin dhe paguhet një herë në muaj në varësi të ditëve që ka frekuentuar çerdhen ose kopshtin.

Nga shqyrtimi i këtij dokumentacioni vihet re se në dy rastet Tiranë dhe Vlorë ky vendim nuk shoqërohet me asnjë studim apo përllogaritje të kostove apo elementë të tjerë të marra në konsideratë për arritjen në këtë tarifë përfundimtare.

Audituesit nënvizojnë se ajo çka bie në sy në të dy bashkitë është se tarifa në të dyja rastet është e njëjtë (130 lekë/ditë për çerdhet dhe 160 lekë/ditë për kopshtet) pavarësisht se niveli i të ardhurave në këto dy qytete është i ndryshëm.

Krahas kësaj mungese transparence nga auditimi në kopshte dhe çerdhe rezultoi se gjatë vitit shkollor prindërit përballen me “kosto të fshehura” për pjesën më të madhe të nevojave që ka një shërbim i tillë.

Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit që administrojnë përgjegjësit e kopshteve dhe çerdheve u vu re se rregullisht në këto institucione mblidhen kontribute nga prindërit të cilët sigurojnë ujin e pijshëm, mjetet didaktike, të përditshme të fëmijës (letra, lapsa, ngjyra, lodra, plastelina, gërshërë e shumë mjete të tjera), pajisje e orendi të tjera si lavatriçe, frigorifer, soba ngohjeje, dhe riparim të tyre, arredim.

Ky fenomen u has më i reduktuar në Bashkinë Vlorë ku për shkak edhe të nivelit të ulët të të ardhurave prindërit siguronin kryesisht mjete didaktike në pamundësi për orendi të tjera ndërkohë që nga dokumentacioni vënë në dispozicion Bashkia vetëm për vitin 2018 kishte shpenzuar mbi një milionë lekë për fishekzjarrë” thuhet në dokumentin e KLSH.

Po kështu shpenzimet sipas audituesve jo në të gjitha rastet janë shoqëruar me fatura ndërkohë që fondet e mbledhura administrohen nga përgjegjësit e kopshtit apo çerdhes dhe në raste të tjera nga bordi i prindërve.

I njëjti auditim nënvizon se ka paqartësi apo mbivendosje sa i takon standardeve apo rregulloreve të aplikueshme në shërbimin e kopshteve dhe çerdheve kjo e lidhur me çështje të mjedisit, sigurisë, ushqimit apo higjienës.

Në këto kushte KLSH ka rekomanduar që të hartohet një studim i detajuar që do të përcaktojnë një tarifë të saktë për shërbimin duke evituar pagesat e fshehta.