Kongresi si funeral i Partisë Socialiste

Nga Red VARAKU

Ky kongres po tregon qartazi se ku ka degraduar PS. Pamjet që u servirën dje dhe po serviren dhe sot , dëshmojnë shkretëtirën dhe hipokrizinë, që Edi Rama ka prodhuar me politikën e tij në PS, e cila tashmë është kthyer në një OJF personale të tij, e mbushur me eunukë dhe hipokritë.

Më shumë se kongres, ai i ngjan pleniumeve të partisë së punës në kohën e fundit të Ramizit, të cilat më së shumti shërbenin për të vaditur dashurinë për partinë me servilizëm dhe për të mbajtur antarët me gajret, sesa për të diskutuar mbi planet dhe projektet për të ardhmen.

Në vend të kësaj nuk po vihet re asnjë lloj përgjegjësie për dështimin spektakolar dhe për kolapsin e plotë ku ndodhet sot vendi , për bllokimin e integrimit apo nëntë kushtet e Bundestagut, përkundrazi midis duartrokitjeve dhe spazmave plot harè aty flitet për suksese të jashtëzakonshme që do të fyenin inteligjencën elementare edhe të një trurosaku si Veliaj.

Gjithashtu, ndryshe nga herët e tjera , bie në sy tkurrja e partisë në një grusht puthadorësh dhe të nënshtruarish, lëpirësish dhe lëpirësesh. Prania e tyre nuk respekton në asnjë moment hierarkinë e partisë, por respekton vetëm raportin servil me kryetarin.

Roli i ri i Linda Ramës në një përpjekje të shëmtuar për të imituar Michelle Obamën dhe pranisë në sallë të shoqeve anonime pa integritet, duke i zënë vendin grave shumë herë më të nderuara , është tejet shqetësues dhe i rrezikshëm për evolucionin që po pëson kjo parti, sepse nëpërmjet këtyre katapultimeve të njerëzve pa asnjë kontribut, po e kthen atë në një parti familjare të kryetarit.

Ndërsa prania e Vangjush Dakos, njeriut që akuzohet për korrupsion të lartë dhe krime që lidhen me të drejtat e njeriut nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, zbatuesi i projektit të vjedhjes së votave, dëshmon pafuqinë e Ramës për tu shkëputur nga krimi i organizuar.

Të gjithë kanë mbetur me buzëqeshje të ngrirë, pa nerva dhe gjak, me sy të zgurdulluar përballë delirit kryeministror dhe koteleve të tij, të cilët dërdëllitin për suksese imagjinare që egzistojnë vetëm në mendjet e tyre.

Shihet qartë që shumica jo vetëm nuk e miraton, por e përçmon atë lëvdim dhe vetëlëvdim të neveritshëm të kryetarit. Të gjithë duken të ftohtë akull në distancën e tyre me marrëzinë e kryetarit, por me ç’duket ata nuk kanë se çfarë të bëjnë më jo vetëm sepse kanë frikë , por edhe sepse u shijon, dhe vazhdon tu shijojë karrigia ku janë ulur.

Ai e ka kthyer atë në një bashkësi të tredhur politikisht. Ai e ka kthyer atë në një turmë që e ka të ndaluar rreptësisht të mendojë, por duhet vetëm të duartrokasë në ekstazë çdo broçkull të kryetarit.

Pafuqia dhe lodhja e tyre reale qëndron tek fakti se ata duhet ta pranojnë pa bërë asnjë zë këtë shfaqje të shëmtuar si normale edhe pse kjo shfaqje i poshtëron ata dhe dëshmon se kryetari është në një nga gjendjet më të rënda psiqike që ka qenë ndonjë herë.

Kongresi po dëshmon se Rama po paguan çmimin e përdhunimit që i ka bërë asaj partie. Përdhunim që ka pjellë vetëm bastardë pa shtyllë kurrizore dhe të pafytyrë. Projekti i tij për rilindje rezultoi në një abort të dhunshëm, që solli në jetë një krijesë të frikshme që po i ha jetën çdo ditë shqiptarëve.

Por, i gjithë ky poshtërim nuk bëhet pa qëllim. Mesazhi që del për çdo socialist është i qartë. Sa më shumë ta pranosh këtë poshtërim, aq më lart do të ngrihesh në karrierë, shembull frymëzues për këtë është krye-eunuku Veliaj.

Partia Socialiste është sot partia e Edi Ramës dhe do të jetë e parti private e tij edhe pasi të largohet nga pushteti. Kush dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e saj, duhet t’i bindet projektit të tij përndryshe të largohet vetë ‘me dëshirë’, nëse nuk do që kamzhiku i pushtetit të bjerë rëndë mbi të. Këtë gjë po e mëson kushdo që guxon t’i kundërvihet.

Sigurisht , që asnjë parti e madhe nuk do t’ia lejonte kurrë vetes një shfaqje të tillë kaq të shëmtuar , por me sa duket kur vjen fundi atë nuk mund ta ndalë dot më askush.