Klinsman jep dorëheqjen vetëm 10 javë pasi u emërua trajner

Jurgen Klinsmann ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të përkohshëm të Hertha Berlin, vetëm 10 javë pasi u emërua në këtë post.

Ish-ylli i Tottenham, Inter dhe Bayern Munich u emërua trajner i përkohshëm i Herthas në nëntor me kohëzgjatje deri në fund të sezonit.

Hertha i fitoi vetëm tri prej nëntë ndeshjeve nën udhëheqjen e Klinsmannit dhe renditet e 14-ta në Bundesligë.

Por ish-trajneri i Gjermanisë thotë se nuk mund ta përmbushë potencialin e tij pa e pasur besimin e drejtuesve të klubit.

“Ne ishim në rrugë të mirë në një kohë relativisht të shkurtër dhe falë përkrahjes nga shumë njerëz, tani jemi gjashtë pikë larg zonës së rënies nga liga, përkundër ndeshjeve të vështira”, shkroi Klinsmann në Facebook.

“Jam shumë i bindur se Hertha do ta arrijë qëllimin për të mbetur në ligë. Si trajner, megjithatë, unë kam nevojë gjithashtu edhe për besimin e atyre të përfshirë në këtë detyrë, e cila ende nuk është kryer. Unë nuk mund ta shfrytëzoj potencialin tim si trajner dhe si pasojë nuk mund t’i përmbush përgjegjësitë e mia, nëse kjo nuk m’u garantohet”, theksoi ai.