Këshilltari socialist fshehu dy dënime, KQZ merr në shqyrtim kërkesën për heqjen e mandatit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë në shqyrtim ditën e mërkurë kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandatit të anëtarit socialist të Këshillit Bashkiak, Mirush Dema.

Ky i fundit nga nga verifikimet e sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ka rezultuar se ka fshehur dy dënime në Zvicër. Në vitin 2014, këshilltari aktual socialist në Kamëz, i ka ofruar për t’i shitur 4 qese heroinë një polici, i cili ishte i infiltruar.

Kurthin ai e ka kuptuar në fund. Për këtë ngjarje është dënuar, dënim i cili u konvertua në gjobë.

Këshilltari socialist rezulton se ka ndryshuar mbiemrin pas martese, nga Troci në Dema, por nuk i ka shpëtuar të kaluarës edhe pse në momentin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit, deklaroi vetëm një ndalim për verifikim në Gjenevë dhe dëbim në Suedi, duke fshehur dënimin për heroinë dhe dhunim banese.

‘Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e mërkurë, më datë 12.02.2020, ora 13:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:

Shqyrtimi i projekt-vendimit

1. Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Mirush Osman Dema (Troci), anëtar i këshillit të Bashkisë Kamëz, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.