Edhe spitalet me koncesion? Paditet për vjedhje ish-Kryeminstri maltez për projektin

Lideri i opozitës në Maltë ka akuzuar ish-kryeministrin Joseph Muscat për “vjedhje me paramendim” për përfshirjen e tij në një marrëveshje me një kompani që synon të marrë me kontratë Partneriteti Publik Privat spitalet në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Kompania Vitals Global Healthcare (VGH) fitoi fillimisht një kontratë PPP për të menaxhuar tre spitale shtetërore në Maltë për 99 vjet. Kontrata kishte një vlerë rreth 7 miliardë euro. Pasi kompania Vitals Global Healthcare mori rreth 100 milionë euro nga paratë e taksapaguesve maltezë, ajo shpalli falimentin dhe e shiti kontratën PPP tek kompania amerikane Steëard Health Care për vetëm 1 euro.

Më pas u zbulua se të aksionerët e Steëard Healthcare ishin të njëjtën persona që kishin në pronësi dhe kompania Vitals Global Health, dhe se e gjitha kjo ishte një skemë mashtrimi për të përfituar para nga buxheti i shtetit maltez. Ministrat e përfshirë në ndërmjetësimin e marrëveshjes aktualisht janë nën hetim penal.

Kreu i opozitës Adrian Delia deklaroi në një konferencë për shtyp sot “unë e kam thënë tashmë këtë: kjo [marrëveshja] ishte një plan për të fituar miliona nga një dështim i paramenduar.”

Para pak ditësh doli në dritë dhe një detaj tjetër: ish-kryeministri i Maltës Joseph Muscat, i cili dha dorëheqjen — pasi u zbulua se ai dhe ministrat e tij ishin të lidhur me vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia — ka lobuar tek qeveria e re malteze për t’i dhënë më shumë para nga buxheti i shtetit kompanisë Steëard Healthcare.

Adrian Delia vazhdoi më tej:
“Është e pabesueshme që ne i kemi paguar Vitals Global Health 180 milion euro në fillim dhe më pas kemi vazhduar t’i paguajmë miliona çdo vit, 20 milion euro të tjera në 2016, 40 milion euro në 2017, 40 milion euro të tjera në 2018 dhe 50 milion euro në 2019. Dhe Joseph Muscat iu afrua Robert Abelës [kryeministrit të ri të Maltës] për t’i thënë se duhet t’i paguajmë sërish ata. Për çfarë? Ata morën paratë, pronat dhe nuk na dhanë asgjë.”

Në vitin 2016, qeveria malazeze nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Vitals Global Healthcare (VGH). Kur VGH e shiti koncesionin e shëndetësisë tek Steëard Healthcare, qeveria malazeze nënshkroi një memorandum të ngjashëm me kompaninë e re.

Disa muaj më vonë, në prill 2017, Ministria e Shëndetësisë malazeze nënshkroi një memorandum me Ministrinë shqiptare të Shëndetësisë për të forcuar bashkëpunimin midis “organizatave që veprojnë në fushën e shëndetit në të dy vendet”. Më pas qeveria shqiptare hartoi një projektligj të ri që i hap rrugë PPP-ve në Shqipëri të ndiqnin të njëjtin model si modeli i dështuar që ndoqi Malta.

Gjatë gjithë kësaj kohe, investitorët në të dyja kompanitë VGH dhe Steëard , Sri Ram Tumuluri and Shaukat Ali Gahfoor, kanë vizituar disa herë Malin e Zi dhe Shqipërinë për të vazhduar negociatat. Shaukat Ali Ghafoor është takuar dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, dhe ky i fundit vizitoi Maltën për të takuar kryeministrin e asaj kohe Muscat.
Steëard Healthcare dyshohet se po planifikon të marrë me PPP disa spitale në Shqipëri, përfshirë një në qytetin e Vlorës.

“Exit.al”