Ish-drejtori i Barcelonës: Messi mund të largohet dhe t’i bashkohet Ronaldos

Ish-drejtori në Barcelonë, Ariedo Braida, beson se largimi i Lionel Messit nga klubi katalonas nuk është i pamundur, përderisa sugjeron se argjentinasi mund edhe të luajë përkrah rivalit të tij më të madh, Cristiano Ronaldos.

Spekulimet për një largim të mundshëm të Messit nga Barcelona kanë filluar sërish dhe më së shumti është raportuar për një transferim potencial të gjashtë-herë fituesit të Topit të Artë në Manchester City, ku do të ribashkohej me Pep Guardiolën.

Edhe pse mediumet e mëdha botërore raportojnë se Messi është i zhgënjyer me projektin në Camp Nou, ai vetë s’ka thënë asgjë për një largim të mundshëm. Por, në kontratën e tij ekziston një klauzolë që ia lejon atij të largohet nga Barcelona pas çdo sezoni edhe pa pëlqimin e klubit, përkundër që kontrata është e vlefshme për një kohë më të gjatë.

Barcelona kishte shpresuar se do të arrinte marrëveshje për një rinovim të kontratës me yllin e skuadrës dhe t’i largonte të gjitha dyshimet lidhur me të ardhmen e argjentinasit. Megjithatë, një marrëveshje e tillë s’është arritur ende.

Ish-drejtori në Barcelonë, Braida, beson se Messi do ta kishte të vështirë të largohet nga Barcelona, mirëpo thotë se një largim i tillë s’do të ishte i pamundur. Ai më tutje shtoi se Messi mund të luajë bashkë me Ronaldon.

“Messi është një lojtar i jashtëzakonshëm, ai ka qenë duke bërë punë shumë të mirë në Barcelonë. Ka qenë atje që kur ishte 13-vjeçar dhe jeton aty me familjen e tij”, ka thënë Braida, në një intervistë të dhënë për Radio anch’io sport.

“Do të jetë e vështirë për të të largohet, por jo e pamundur. A mund të luajë ai bashkë me Ronaldon? Ata të dy janë lojtarë aq të mirë që, me punë të mirë, do të mundë të luanim shumë mirë së bashku. Ata mund të luajnë bashkë”.

Messi dhe Ronaldo e kanë kaluar shumicën e karrierës së tyre në garë me njëri-tjetrin, mirëpo Braida s’e ka përjashtuar mundësinë që Messi dhe Ronaldo të bëhen më në fund edhe bashkëlojtarë, nëse ndonjë klub do të mundë ta përballojë financiarisht t’i ketë në skuadër dy futbollistët më të paguar në botë.